Turqia dënon aneksimin rus të territorit ukrainas: Nuk mund të pranohet

Sikurse edhe vende të tjera, Turqia kundërshton vendimin e Rusisë për të aneksuar katër rajonet ukrainase, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia. Në një njoftim nga Ministria turke thuhet se vendimi i aneksimit është një “shkelje e rëndë” e ligjit ndërkombëtar.
“Ky vendim, i cili është një shkelje e rëndë e parimeve të vendosura të së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të pranohet. Ne përsërisim mbështetjen tonë për t’i dhënë fund kësaj lufte, mizoria e së cilës vazhdon të rritet, mbi bazën e një paqeje të drejtë të arritur përmes negociatave”, thuhet në njoftimin e ministrisë turke.
Turqia nuk e ka njohur aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi me 30 shtator traktatet, për të aneksuar në mënyrë të paligjshme më shumë territore të okupuara ukrainase, në një përshkallëzim të mprehtë të pushtimit të tij shtatë-mujor.
Turqia është përpjekur të ndërmjetësojë midis Ukrainës dhe Rusisë dhe diplomacia e saj me OKB-në çoi në marrëveshjen e fundit për të çliruar eksportet e grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




