Turqia kritikon Perëndimin mbi paralajmërimet për çështjet e sigurisë: Po na dëmton turizmin!

Botë | 4 vite më parë

Turqia kritikoi sot një grup vendesh perëndimore, të cilat mbyllën përkohësisht konsullatat e tyre në Stamboll për shqetësime sigurie, duke i akuzuar ato për “luftë psikologjike” dhe përpjekje për të shkatërruar industrinë e turizmit të Turqisë.

Gjermania, Holanda dhe Britania, ishin ndër vendet që mbyllën konsullatat e tyre në qytetin me rreth 16 milionë banorë këtë javë. Ambasada gjermane përmendi rrezikun e sulmeve të mundshme hakmarrëse pas incidenteve të djegies së Kuranit në disa vende evropiane. 

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera lëshuan paralajmërime, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se mbyllja e konsullatave dhe paralajmërimet për udhëtimet, ishin pjesë e një komploti të supozuar perëndimor për të dëmtuar sektorin e turizmit të Turqisë për t’u rikthyer, pas pandemisë së koronavirusit.

“Në të njëjtën ditë kur ne deklaruam qëllimin tonë për tërheqjen e 60 milionë turistëve, në një kohë kur fluksi ishte 51.5 milionë turistë dhe ne fituam 46 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi, ata ishin në prag të fillimit të një lufte të re psikologjike kundër Turqisë”,- tha Soylu, i cili njihet për retorikën e tij antiperëndimore.

Zyrtarët turq thirrën nëntë ambasadorë, përfshirë edhe të dërguarit e vendeve që mbyllën konsullatat e tyre në Stamboll, në Ministrinë e Jashtme, për të protestuar ndaj veprimeve të tyre. Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore Anadolu, e cila nuk përmendi vendet të cilat u thirrën në takim. Nuk pati as ndonjë konfirmim të këtij lajmi nga ministria e Jashtme turke. Apnews

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme