Tymoshenko akuzohet për korrupsion, reagon politikania ukraniase: Akuza absurde

Europë | 10 muaj më parë

Yulia Tymoshenko, kryetarja e partisë “Batkivshchyna” (Atdheu) dhe udhëheqëse e grupit të saj parlamentar në Rada, është akuzuar zyrtarisht nga NAVU dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SAPO) se u ka ofruar ryshfete deputetëve për të votuar sipas udhëzimeve të saj në Kuvend.

Sipas SAPO-së, kjo nuk ka qenë një marrëveshje e vetme, por një mekanizëm i rregullt dhe afatgjatë me pagesa paraprake, ku deputetët merrnin instruksione se si të votojnë, ose në disa raste të mos votojnë fare apo të abstenojnë.

Hetimi ka nisur pas zbulimit në dhjetor të vitit 2025 të një grupi deputetësh që merrnin para për vota, dhe sipas NAVU-së, pikërisht pas kësaj Tymoshenko ka nisur bisedimet për këtë skemë të organizuar.

Më 13 janar 2026, agjentët e NAVU-së dhe SAPO-së bënë kontrolle dhe sekuestruan materiale në zyrat qendrore të partisë “Batkivshchyna” në Kiev.

Tymoshenko reagoi në Facebook dhe Telegram më 14 janar, ku tha se “këto veprime nuk kanë lidhje me ligjin”.

Ajo pretendon se nuk u gjet asgjë inkriminuese, por iu sekuestruan telefonat e punës, dokumentet parlamentare dhe kursimet personale (të gjitha të deklaruara zyrtarisht).

Ajo i quajti akuzat “absurde” dhe tha se bëhet fjalë për përndjekje politike: “Duket se zgjedhjet janë shumë më afër se sa dukej, dhe dikush ka vendosur të fillojë pastrimin e konkurrentëve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme