U bashkuan me opozitën, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shkarkon dy ministra shqiptarë

Rajon | 3 vite më parë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar të premten në mesnatë dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitës. Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). 

Por, në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka thënë se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”. Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar.

Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme