Udhëheqja e NATO-s, Stoltenberg përjashton mundësinë e vazhdimit të mandatit. “Peng” anëtarësimi i Suedisë

Duke folur me gazetarët gjatë rrugës për në një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg hodhi poshtë zërat për vazhdimin e mandatit të tij duke thënë se nuk ka “ndonjë qëllim për të kërkuar një zgjatje të qëndrimit në krye të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë.
Stoltenberg ka shërbyer si shef i NATO-s që nga viti 2014, dhe mandati i tij u zgjat në vitin 2022 për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Norvegjezi do të japë dorëheqje në muajin shtator. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen dhe Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Ëallace, thuhet se janë dy pretendentët e mundshëm për postin e lartë në grupin e udhëhequr nga SHBA-ja.
Stoltenberg, foli edhe për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se bashkimi i shtetit nordik në aleancë është i mundur deri në Samitin Vilnius më 11-12 korrik, por shtoi se ai nuk mund ta garantojë atë.
“Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë. Asnjë aleat nuk është dëmtuar më shumë nga terrorizmi sesa Turqi”, tha Stoltenberg.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi para takimit të Nato-s se Suedia nuk mund të presë që Turqia të miratojë anëtarësimin e saj në NATO përpara samitit të aleancës Atlantike muajin e ardhshëm. Ankaraja “nuk mund t’i qaset pozitivisht” kërkesës së Suedisë për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut kur “terroristët” po protestojnë në rrugët e Stokholmit, këmbënguli Erdogan.
Ai akuzoi Stokholmin se nuk po zbaton plotësisht ligjin e tij të ri anti-terror për të goditur veprimet e separatistëve kurdë, që Ankaraja i quan dhe aleatët perëndimorë i kanë konsideruar terroristë.
Gazetar Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




