Ukraina feston Ditën e Pavarësisë, Finlanda dhe Lituania urojnë Zelenskyn

Ukraina feston sot (24 gusht) 31-vjetorin e Ditës së Pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik. Por ajo që sot do duhej të ishte një ditë feste për Ukrainën, lufta e Rusisë prej 6 muajsh, ka detyruar autoritetet të ndalojnë tubimet. Sipas The Guardian, Presidenti i Finlandës Sauli Niinisto ka shprehur mbështetjen e vendit të tij ndaj Ukrainës ndërsa e ka uruar për Ditën e Pavarësisë.
“Urimet e mia më të sinqerta për Presidentin Zelenskyy dhe popullin e Ukrainës për Ditën tuaj të Pavarësisë. Finlanda qëndron në krah të Ukrainës dhe ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë të palëkundur për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkruan Niinisto në rrjetin social Twitter.
Po ashtu edhe Presidenti i Lituanisë Gitanas Nausėda publikoi një foto me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, teksa e uronte për guzimin dhe dinjitetin e treguar.
“Duke i uruar forcë Zelenskiy dhe Ukrainës që lufton për liri me guxim, sfidë dhe dinjitet të jashtëzakonshëm. Lituania është gjithmonë me ju”, tha ai.
Ndërkohë vetë Presidenti Zelensky gjatë një fjalimi mbrëmjen e 23 gushtit deklaroi se janë të përgatitur në rast të një sulmi nga Rusia. “Nesër është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Dhe prandaj kjo ditë, për fat të keq, është e rëndësishme edhe për armikun tonë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nesër janë të mundshme provokimet e tmerrshme ruse dhe sulmet brutale”, tha Zelensky. Autoritetet kanë ndaluar tubimet masive në Kiev pasi zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas paralajmërojnë se Rusia po përgatitet të sulmojë edhe një herë kryeqytetin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




