Ukraina/ Peleshi: Sot duhet të bashkohemi. Të lemë mënjanë të gjitha axhendat tona

Apel për unitet midis deputetëve të Kuvendit, për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, ka kërkuar sot në Kuvend edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai u kërkoi ligjvënësve shqiptarë që të lënë mënjanë çështjet e vendit, pasi sot, sipas tij, “është dita për të treguar përgjegjshmëri dhe për të bërë strategji kombëtare”.
“Do të donim të flisnin të gjithë në të njëjtën gjuhë, për Ukrainën. Ne kemi sfidat tona të sigurisë kombëtare e të mbrojtjes. Jemi në nevojë për shkak të situatës së krijuar për të rishikuar dokumentet tona strategjike. Por sot është dita e Ukrainës. Çdo përpjekje për të marrë nga kjo çështje kredo politike, nuk është e drejtë. Të tregojmë si jemi një faktor në gjithë Rajonin drejt perëndimit. Nuk është dita të flasim për çështje tonat shumë të mëdha, por për Ukrainën. Sot duhet të bashkohemi. Të lemë mënjanë të gjitha axhendat tona. Mos të merremi me ngritjen e çmimeve, me rritjen e çmimit të naftës. Të tregojmë përgjegjshmëri politike. Të bëjmë strategji kombëtare. Të tregojmë se dimë të bëjmë pakte kombëtare për çështje të mëdha. Duhet t’i themi Perëndimit që jemi të gjithë bashkë. Nuk e meritojmë ne e shqiptarët të ndahemi në këtë ditë. Ne jemi të gjithë bashkë, jemi me Ukrainën. Ukraina sot nuk po lufton për Ukrainën, por për lirinë e të gjithëve”, tha Peleshi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




