Ukrainasit nderojnë shkrimtaren, Victoria Amelina, e cila u vra gjatë një sulmi me raketa ruse

Dhjetra njerëz me lule nëpër duar, shumë të tjerë që e kishin të pamundur t’i përmbanin lotët, i dhanë lamtumirën të martën shkrimtares ukrainase të vlerësuar me shumë çmime, i cila ishte në mesin e të vrarëve nga një sulm me raketa ruse në një restorant të njohur në Ukrainën lindore.
Shërbimi përkujtimor për Victoria Amelina, 37 vjeçe, u mbajt në sallën kryesore të mbushur plot me njerëz në Katedralen Saint-Michael në Kiev, ku zakonisht mbahen ceremoni për ushtarët që u vranë në fushën e betejës.

Amelina vdiq në një spital nga plagët e marra më 27 qershor në një restorant popullor të vizituar shpesh nga gazetarët dhe punonjësit e ndihmës në qytetin e Kramatorsk. Gjatë këtij sulmi nga rusët humbën jetën edhe 12 persona të tjerë.
“Zakonisht, ne mblidhemi këtu për t’i dhënë lamtumirën më të merituarve,”- tha Arkimandriti Lavrentii, prifti ortodoks që drejtoi shërbimin.
“Duke marrë parasysh kohërat në të cilat jetojmë, të bësh një jetë të denjë dhe dinjitoze për secilin prej nesh është nderimi më i mirë që mund të ofrojmë në kujtim të atyre që kanë vdekur në përjetësi.”
Rreth 100 njerëz, duke përfshirë përfaqësues nga komuniteti letrar ukrainas, të afërm dhe banorë të Kievit, u mblodhën në kishë për të nderuar Amelinën, një shkrimtare e shquar që kishte kthyer vëmendjen e saj nga letërsia në dokumentimin e krimeve të luftës ruse, pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.
Shumë nuk i mbanin dot lotët. Në të majtë të arkivolit, njerëzit vendosën lule, disa prej të cilave ishin stolisur me fjongo në ngjyrat e flamurit të Ukrainës.
Në fund të lamtumirës, një mal me lule qëndronte pranë një portreti të Amelinës, një grua flokëkuqe me një fytyrë të zbehtë dhe një vështrim depërtues të paraqitur në një sfond të errët.
Një funeral tjetër do të mbahet të mërkurën edhe në qytetin e lindjes së Amelinës, Lviv.
Dmytro Kovalchuk, 31 vjeç, ishte duke darkuar me Amelinën në restorant kur një raketë ruse Iskander goditi ndërtesën. Ai punoi si producent për një ekip shkrimtarësh, Amelinë dhe një grup kolumbianësh.
Ai tha se Amelina ishte e para që u evakuua për në spital. Ajo pësoi një lëndim kur çatia u shemb dhe një pjesë hekuri e goditi në kokë.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




