Ukrainës do t’i dhurohet një radar i sofistikuar francez, për mbrotjen nga dronët dhe raketat ruse

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës tha sot se jetët e shumë ukrainasve do të shpëtohen, pasi Franca do t’i dhurojë një radar të sofistikuar për mbrojtjen ajrore, i cili është mjaft i fuqishëm për të dalluar raketat dhe dronët shpërthyes që vijnë nga qielli mbi kryeqytetin e Ukrainës dhe rajonin përreth saj.
Ministri, Oleksii Reznikov, ishte entuziast për atë që ai e quajti “sytë elektronikë” të rinj të Ukrainës, madje shpiku një pseudonim për radarin Ground Master 200, “Mjeshtër i Madh”.
Duke folur përmes një përkthyesi në një ceremoni të dorëzimit të radarit me homologun e tij francez, Reznikov e përshkroi GM200 të prodhimit francez si një përmirësim “shumë efektiv” për rrjetin e Ukrainës prej rreth 300 llojeve të ndryshme të radarëve që ajo ka për mbrojtjen ajrore.
Thales, prodhuesi, thotë se radari zbulon dhe gjurmon raketat, artileritë, predhat e mortajave, avionët, dronët dhe kërcënime të tjera.
“Për shkak të mbështetjes suaj, jetët e ukrainasve do të shpëtohen,”- tha ministri në ceremoninë në Limours, ku Thales prodhon pajisjet.
“Ky radar do të jetë “qershia mbi tortë,”- shtoi ai. “Kjo është arsyeja pse do të quhet “Mjeshtër i Madh”.
Ministri francez i mbrojtjes, Sebastien Lecornu, tha se rrezja e GM200 prej 250 kilometrash do të mundësonte të kontrollonte qiellin mbi Kiev dhe rajonin përreth kryeqytetit ukrainas, megjithëse nuk është e qartë nëse forcat ukrainase synojnë t’a vendosin atë.
Radari është i transportueshëm në një kamion. Thales thotë se mund të vendoset në 15 minuta dhe të zhvendoset në një vend tjetër në 10 minuta, duke e bërë atë një objektiv më të vështirë për t’u goditur. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



