“Uragani i zjarrit” që dogji Mauin, banorër: Sirenat paralajmëruese nuk ranë kurrë

Lahaina, dikur kryeqyteti mbretëror i Havait, tani është një krematorium.
“Ne marrim mbetjet dhe ato shpërbëhen“, tha shefi i policisë së qarkut Maui, John Pelletier të shtunën, katër ditë pasi një zjarr masiv përfshiu skajin perëndimor të ishullit.
Afro 100 vdekje janë konfirmuar, duke i bërë zjarret në Lahaina më vdekjeprurësit në SHBA në më shumë se një shekull.
Por vetëm 3% e rrënojave të djegura të Lahaina janë kontrolluar deri më tani, duke nxitur frikën se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet ndjeshëm.
“Askush nga ne nuk e di ende madhësinë e shkatërrimit“, paralajmëroi Pelletier, duke u rritur dukshëm emocional.
Në dëshmitë e tyre, banorët thonë se nuk kishin marrë asnjë paralajmërim zyrtar përpara se të iknin për të shpëtuar jetën e tyre, duke ngritur pyetje në lidhje me efektivitetin e reagimit të urgjencës dhe nëse më shumë njerëz mund të ishin shpëtuar.
Të martën në mëngjes, banorët e Lahaina nuk kishin energji elektrike, por ata menduan se ndërprerja lidhej me urganin Dora që kishte goditur ishullin.
Në atë kohë, zjarret lokale dukeshin të parëndësishme. Deri në orën 9:55 të mëngjesit, zyrtarët e kishin deklaruar zjarrin si “100% të kontrolluar”. Banorëve nuk iu dha asnjë informacion mbi rrezikun se mund të ndizej sërish.
Banorët nuk kishin dëgjuar asnjë sirenë që lajmëronte për zjarrin dhe as njoftim zyrtar për evakuim. Në Maui, ishulli i dytë më i madh në arkipelagun Havai, ka 80 alarme në natyrë, të testuara çdo muaj, që synojnë të paralajmërojnë banorët për cunami dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Por ato sirena paralajmëruese nuk kishin rënë, kanë konfirmuar zyrtarët, një dështim që tani po hetohet nga Prokurori i Përgjithshëm i Havait.
Disa banorë thanë se morën sinjalizime në telefonat e tyre celularë herët të martën, por ndërprerja e energjisë në perëndim të Maui mund të ketë kufizuar shtrirjen e tyre.
Dhe në mungesë të një paralajmërimi në shkallë të gjerë, banorët nuk mundën të evakuoheshin në kohë.
Guvernatori i Havait, Josh Green ka deklaruar se prokurori i përgjithshëm i shtetit do të drejtonte një hetim mbi politikat e reagimit ndaj emergjencave të Maui-t. Por ai ka mbrojtur kryesisht reagimin e qeverisë së tij, duke fajësuar erërat e forta dhe kushtet e thatësirës për përhapjen e shpejtë të flakëve.
“Ai zjarr udhëtonte një milje çdo minutë, duke rezultuar në këtë tragjedi. Një uragan zjarri, diçka e re për ne në këtë epokë të ngrohjes globale, ishte arsyeja përfundimtare që kaq shumë njerëz humbën jetën“, tha ai./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




