Ursula von der Leyen: Gazsjellësi i ri Greqi-Bullgari “do të thotë liri”!

Bullgaria hapi një lidhje të gazit natyror me Greqinë, në një ceremoni ku mori pjesë edhe drejtuesja ekzekutive e Bashkimit Evropian, e cila theksoi vendosmërinë e bllokut për të mos u mbështetur në importet ruse të energjisë.
Duke folur në një ceremoni në Sofje, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e përshëndeti tubacionin, si një kontribut të rëndësishëm në kufizimin e mundësive që Rusia të përdorë rezervat e saj të gazit dhe naftës për të shantazhuar ose ndëshkuar BE-në.
“Ky tubacion ndryshon situatën e sigurisë energjetike për Evropën. Ky projekt do të thotë liri”, tha von der Leyen para një auditori që përfshinte krerët e shteteve dhe qeverive rajonale. “Komisioni Evropian ka hedhur rreth 250 milionë euro për financimin e projektit”,- tha ajo.
Rëndësia e tubacionit Gas Interconnector Greqi-Bullgari, i cili përfundoi në korrik, është rritur ndjeshëm pasi Moska vendosi të kthejë furnizimet e saj të gazit natyror në një armë politike.
Një tubacion i dytë evropian filloi të funksionojë sot kur karburanti kaloi përmes tubit të ri Baltik, i cili u ndërtua për të transportuar gaz nga depozitat e Detit të Veriut të Norvegjisë përmes Danimarkës dhe përtej shtratit të detit Baltik në një stacion kompresori në Poloninë veriperëndimore. Kapaciteti i plotë i tij pritet të arrihet vitin e ardhshëm.
Zyrtarët polakë, danezë dhe norvegjezë hapën tubacionin në Poloninë veriore, duke theksuar rolin e këtij tubacioni për pavarësinë e rajonit nga gazi natyror rus. Rusia ka shkurtuar ndjeshëm disa nga furnizime të saj të gazit në Evropë, për të demonstruar kundërshtimin ndaj sanksioneve që BE vendosi për luftën në Ukrainë.
Përveç kësaj, rrjedhjet e mëdha të metanit këtë javë për shkak të sabotimit në dy tubacionet nënujore Nord Stream midis Rusisë dhe Gjermanisë, kanë shtuar shqetësimet për ruajtjen e furnizimeve me energji të Evropës. Në fund të prillit, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, pasi ato refuzuan kërkesën e Moskës për të paguar dërgesat në rubla.
Në qershor, Bullgaria urdhëroi dëbimin e 70 diplomatëve rusë, e cila u pasua me një përgjigje të ashpër nga Moska. “Njerëzit në Bullgari dhe në mbarë Evropën po ndjejnë pasojat e luftës së Rusisë. Por falë projekteve si ky, Evropa do të ketë mjaftueshëm gaz për dimër”, tha von der Leyen. “Evropa ka gjithçka që i nevojitet për t’u çliruar nga varësia e saj nga Rusia.
Është çështje vullneti politik”. Tubacioni 182 kilometra shkon nga qyteti verilindor grek i Komotinit, ku lidhet me Gazsjellësin Trans-Adriatik, deri në Stara Zagora në Bullgarinë qendrore. Planet parashikojnë një kapacitet fillestar prej 3 miliardë metra kub gaz në vit dhe perspektivën e zgjerimit të ardhshëm në 5 miliardë metra kub.
Ekzekutivja bullgare e projektit, Teodora Georgieva, tha se tubacioni do të ndihmojë në furnizimin e vendeve të tjera në Evropën juglindore. “Ne kemi mundësinë për të furnizuar me gaz Ballkanin Perëndimor, për të siguruar furnizime për Moldavinë dhe Ukrainën”, tha Georgieva.
I planifikuar që në fillim të viteve 2000, Tubi Baltik mori dritën jeshile në 2016 nën qeverinë e krahut të djathtë të Polonisë, e cila dëshiron ta bëjë vendin plotësisht të pavarur nga burimet ruse të energjisë.
E gjithë rruga në det të hapur është 275 kilometra e gjatë. Zgjerimi në Danimarkë përbëhet nga një tubacion afërsisht 210 kilometra, një stacion i ri kompresori dhe një zgjerim i një terminali marrës. Projekti mori mbështetje financiare nga BE. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




