Varhei kundër Greqisë: Nuk ka marrëdhënie të mira nëse pengon fqinjin të ecë përpara

Politikë | 3 vite më parë

Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhei (Varhelyi) tha se nuk e kupton dot sjelljen e Greqisë e cila po pengon hapjen e negocimit të grup kapitujve për Shqipërinë lidhur me integrimin. Ai tha se nuk ka fqinjësi të mirë nëse e pengon tjetrin të ecë para dhe se në Komisionin Evropian po punohet dhe bëhet gjithçka që kjo gjë të kalojë dhe Shqipëria të nis negociatat për kapitujt.

“Nuk mendoj se ka në Bruksel se ka njerëz që nuk bien dakord me arritjet e Shqipërisë. Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup kapitullin e parë. Sado teknik të jetë si proces është thjeshtë hapi i radhës dhe nuk e kuptoj dot pse nuk e marrim dot ne këtë vendim. Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjët nëse ti bllokon tjetrin të ecë përpara. Shpresoj shumë që  mund të vijmë dhe të kemi një  konferencën tjetër ndërqeveritare që të kalojmë në negociatat e vërteta me grup kapitullin e parë”, tha Varhei.

Edhe kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria po punon për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe se ky është i vetmi shqetësim i saj për momentin. Nëse një vend e do apo jo Shqipërinë në BE, për Ramën, është një çështje tjetër që duhet të diskutohet kur të ndodh anëtarësimi, pasi fokusi tani është te reformat.

“Ne punojmë çdo ditë me KE si të ishim duke negociuar gjithçka që duhej negociuar zyrtarisht ne këtë fazë. Kjo tregon se po bëjmë punë  këtu. Kur procesi të hyjë në fazën tjetër do të jemi shumë më të përparuar. KE ka luftuar shumë me shtetet anëtare për të nisur negociatat më para dhe kjo s’ka ndodhur për shkak të politikave të brendshme. Anëtarësimi ynë në BE do të ndodh pas 5 ose pak më shumë vitesh dhe pastaj mund të shqetësohemi pse dikush po na bllokon apo të mërzitemi pse nuk u ulëm rreth tryezës, por jo tani. Tani duhet të bëjmë punën, pastaj nëse një vend na do apo jo ky është problem tjetër”, tha Rama.

Bllokimi i Shqipërisë për të nisur negociatat për grup kapitullin e parë me Komisionin Evropian po ndodh nga Greqia pas tensioneve të lindura për çështjen Beleri. Arrestimi i kryetarit të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri për blerje votash, është parë nga Greqia si një vendim politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme