Veliaj dhe Xoxa mungojnë në seancë- Gjykata gjobit me 50 mijë lekë Ndrecën dhe cakton avokat kryesisht
Procesi gjyqësor në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u shty sërish, pasi në seancë munguan si vetë Veliaj, ashtu edhe avokati i tij, Plarent Ndreca.
Prokurori Ols Dado e cilësoi mungesën e avokatit si të pajustifikuar, duke kërkuar gjobitjen e tij dhe caktimin e një avokati kryesisht. Gjykata pranoi kërkesën, vendosi një gjobë prej 50 mijë lekësh ndaj Ndrecës dhe caktoi një avokate kryesisht për të mos penguar vijimin e procesit.
“Pengesë për zhvillimin e seancës është mungesa e avokatit të Erion Veliajt. Kërkojmë shtyrjen e seancës, caktimin e një avokati kryesisht dhe gjobitjen e avokatit, pasi pretendimi i tij nuk është i ligjshëm. Gjithashtu, të pezullohen afatet e paraburgimit”, tha prokurori i SPAK, Ols Dado.
Edhe Ajola Xoxa nuk ishte e pranishme në seancë. Mbrojtja paraqiti një raport mjekësor, duke argumentuar se gjendja e saj shëndetësore pas lindjes me operacion nuk i lejon pjesëmarrjen në gjykatë.
“Ndonëse mendojmë se raporti mjekësor që depozituam në seancën e kaluar, si për çdo nënë në Shqipëri, ka vlerë, dje ajo bëri një konsultë me mjekun, pasi mori njoftimin për seancën e sotme, për të kuptuar nëse ishte e mundur të merrte pjesë. Gjendja e saj vijon të jetë e njëjtë, çka e bën të pamundur praninë në seancë dhe ushtrimin e një mbrojtjeje efektive”, tha avokati i Xoxës, Gurali Brahimllari.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se dokumentacioni mjekësor i paraqitur nuk përbën shkak të mjaftueshëm për mosparaqitjen e saj, ndërsa procesi do të vijojë në seancat e ardhshme.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



