Veliaj i propozon Këshillit Bashkiak shpalljen e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit “Qytetarë Nderi” të Tiranës

Nga izolimi ku ndodhet prej 19 muajsh, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar qytetarëve me një deklaratë publike ku është ndalur te zhvillimet e fundit mbi rreth procesit gjyqësor dhe dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Veliaj ka bërë të ditur iniciativën e tij zyrtare për t’i propozuar Këshillit Bashkiak të Kryeqytetit dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërsa u ka bërë thirrje edhe bashkive të tjera shqiptare të ndjekin të njëjtin shembull.
Në mesazhin e tij, Veliaj theksoi se vendimi i dhënë në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së e ka tronditur thellë, duke nënvizuar se liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence.
“Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar. Për të kujtuar si liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence… Në atë histori, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vendin e saj të lavdishëm, sikurse ushtarët e saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata janë katër burra që historia i vendosi në një prej kapitujve më të vështirë dhe më vendimtarë të Kosovës”, shkruan Veliaj.
Veliaj nënvizoi rolin e Tiranës si kryeqendër e shqiptarisë dhe ka propozuar Këshillit Bashkiak të kryeqytetit dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për ish-krerët e UCCK-së ndërsa u bën thirrje edhe drejtuesve të tjerë vendorë në të gjitha trevat shqiptare që të ndërmarrin hapa të ngjashëm honorifikë:
“Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës. Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën… Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë. Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata. E nga Tirana dua t’u drejtohem edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare, të nderojnë si Tirana. Pasi këta katër burra nuk janë pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe përmes saj, e historisë sonë shqiptare. Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm”, thekson më tej Veliaj në reagimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



