Veliaj me banorët e Njësive 4, 8 dhe 9: Jo më kthim mbrapa për Tiranën

Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me banorët e Njësive 4, 8 dhe 9 në kryeqytet, ku së bashku me deputetet e PS, Blerina Gjylameti, Mimi Kodheli dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kërkoi votën për Partinë Socialiste.
“Tirana e dikurshme mbaronte aty ku ka qenë Stacioni i Trenit, kurse sot shtylla kurrizore e qytetit është rritur dy herë, për t’u siguruar që në shekullin e dytë të kemi një qytet që është rritur dy herë në infrastrukturë dhe urbanistikë. Për këtë e kemi vetë në dorë. E kemi vetë në dorë të punojmë, të ecim përpara, ose të mos punojmë dhe të shkojmë mbrapa. Ne e kemi në dorë që të bashkohemi për një qëllim, të dashurojmë njeri-tjetrin dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Ne e kemi në dorë edhe t’ia fusim gjumit. Por tani jemi përpara një vendimi: Do vazhdojmë të ecim përpara apo do kthehemi mbrapa?”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se kthimi mbrapa, sipas Veliajt, do të thotë një Tiranë në errësirë, e mbushur me plehra dhe kioska.
“Tirana sot është më e bukur, më e pastër, më e ndriçuar. Kthim mbrapa do të thotë që Tiranës mos t’i punojë më Sahati. Kthim mbrapa do të thotë që Tirana të vijë erë dhe të bëhen plehrat mullar, siç i gjetëm. Kthim mbrapa do të thotë që të mos ketë asnjë pemë me gjethe. Kthim mbrapa do të thotë Tirana me 70% errësirë. Kthim mbrapa do të thotë ajo reja e plehrave që digjeshin në Sharrë dhe mbushte me kancer gjithë Tiranën. Kthim mbrapa do të thotë të vijnë marmitat e makinave në sheshin “Skënderbej”. Kthim mbrapa do të thotë gërrhima e një qyteti që nuk lëvizte prej vendit. Kthim mbrapa do të thotë torta e Pavarësisë, ku lamë kokrrën e namit me legenë, me govata, sepse ai ishte kulmi i qytetërimit që përfaqësonin ata. Kthim mbrapa për këta që flasin sot për nënkalimin, do të thotë gropa e Hajdin Sejdisë. Kthim mbrapa do të thotë Parku “Rinia” plot me kioska. Kthim mbrapa do të thotë Lana komplet e zaptuar. Por, ne kemi vendosur të shkojmë përpara”, u shpreh Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




