Veliaj pret homologun e Mykonos: Mësojmë nga më të mirët për rritur turizmin në Tiranë

Në mbyllje të vitit kur Tirana mbajti titullin “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, kryebashkiaku Erion Veliaj priti në takim kryebashkiakun e Mykonos, Konstantinos Koukas. Diskutimi mes tyre u fokusua në projektet e përbashkëta që përfshijnë gjeneratën e re.
“Aseti numër një i një qyteti janë njerëzit e tij, janë të rinjtë dhe të rejat, ata që kanë shpirtin e sipërmarrjes, të cilëve do t’u kalojmë stafetën nesër. Unë besoj se djemtë dhe vajzat e rinj në Shqipëri, në Greqi, në Itali, në gjithë rajonin tonë, nëse lidhen me njëri-tjetrin, nëse komunikojnë me njëri-tjetrin, nëse krijojnë projekte të përbashkëta, atëherë sigurisht që rriten në harmoni. Pikërisht, kjo i duhet gjeneratës që vjen, jo mëritë e së kaluarës, por kokën nga e ardhmja, projekte për të ardhmen dhe plane sesi ky rajon, që është kaq i bekuar, mund të ketë edhe një shoqëri të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.
Veliaj shtoi se Tirana dhe të rinjtë e saj kanë shumë për të mësuar nga puna që bëhet në Mykonos në fushën e turizmit.
“Mykonos është një histori suksesi nga e cila ne duam të mësojmë se si bëhet turizëm i qëndrueshëm, se si të kemi përfitime nga turizmi pa i prishur bukuritë e natyrës. Unë besoj se Shqipëria, tani që është hapur ndaj turizmit, ka shumë çfarë të mësojë nga Mykonos, për t’u siguruar që e ruajmë atë pajë që na ka dhënë zoti dhe na ka dhënë natyra, por sigurisht sigurohemi që edhe të prodhojë ekonomi dhe të ketë të ardhura për ata që jetojnë me turizëm, me gjithë këtë industri të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.
Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Mykonos vlerësoi punën e bërë në Tiranë.
“Tirana është duke bërë punë të shkëlqyer. Që nga vizita ime e fundit këtu, jam bërë një ambasador i zëshëm i qytetit tuaj, duke ftuar të gjithë miqtë e mi që të vizitojnë qytetin tuaj dhe të shohin punën e shkëlqyer që ju bëni si kryetar bashkie. Mendoj që vendi juaj po bën shumë mirë”, theksoi kryebashkiaku i Mykonosit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




