Vendet e NATO-s bien dakord të ndajnë 5% të PBB-së për sistemin e mbrojtjes

Vendet e NATO-s kanë rënë dakord përpara samitit që përcakton një objektiv për rritjen e shpenzimeve vjetore të mbrojtjes dhe sigurisë në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, duke kapërcyer kundërshtimin e Spanjës.
Në një deklaratë të përbashkët përpara samitit theksohet se vendet e NATO ranë dakord të ndërmarrin këtë hap pavarësisht se Spanja doli kundër.
Deklarata u miruta nga të 32 anëtarët e NATO-s, por do të bëhet zyrtare vetëm pasi të miratohet nga udhëheqësit, përfshirë Presidentin e SHBA-së Donald Trump, në samitin që do të mbahet në Hagë ditën e mërkurë.
DPA ka konfirmuar se shtetet anëtare të NATO-s arritën marrëveshjen mbi objektivat e planifikuara të shpenzimeve të mbrojtjes vetëm disa ditë para samitit kyç në Hagë.
Nuk dihet ende se si u bind Spanja të hiqte dorë nga kundërshtimet e saj.
Konsensusi mbi objektivin prej 5% të PBB-së mund të konsiderohet një fitore për Donald Trump, i cili ka kërkuar prej muajsh që Aleatët të angazhohen për të rritur ndjeshëm buxhetet e tyre të mbrojtjes.
Spanja kishte kundërshtuar publikisht propozimin e NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së dhe shpenzimet e lidhura me sigurinë në 1.5% të PBB-së.
Trump u përgjigj se “NATO do të duhet të merret me Spanjën”.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i kishte dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte duke i kërkuar atij të merrte në konsideratë një “formulë më fleksibël” për shpenzimet e mbrojtjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




