Vera shton ngarkesën në trafik/Policia Rrugore në terren për të garantuar qarkullim më të rregullt
Sezoni veror ka shtuar ndjeshëm trafikun në rrugët e Shkodrës. Një nga problematikat kryesore mbeten parkimet dyshe në arteriet më të ngarkuara të qytetit.
Shefi i Policisë Rrugore, Ermal Zenelaj, thotë se shkelje të tilla nuk do të tolerohen, pasi pengojnë qarkullimin dhe krijojnë radhë automjetesh.
“Po merren masa në lidhje me mjetet që parkohen në vende të dyfishta. Nuk është qëllimi të gjobisim apo të ndëshkojmë qytetarët, por të ndërgjegjësohen që të mos parkojnë në këtë mënyrë. Një parkim i dyfishtë sjell pasoja që shkojnë përtej një mase administrative”, u shpreh Zenelaj.
Sipas Zenelajt, policia po përdor edhe mjetet teknologjike për të evidentuar më shpejt shkeljet dhe për të marrë masa ndaj drejtuesve të mjeteve.
“Teknologjia është një nga elementët kryesorë për dokumentimin e shkeljeve. Të gjitha masat administrative që vendosen në kuadër të sigurisë rrugore mbështeten në përdorimin e teknologjisë. Puna në këtë drejtim po forcohet vazhdimisht falë mjeteve teknologjike. Pa teknologji, si dronët, makinat inteligjente dhe radarët, vendosja dhe dokumentimi i masave administrative nuk do të realizoheshin me të njëjtin sukses”, tha ai.
Fluksi i lartë i automjeteve gjatë verës vijon të krijojë ngarkesë në akset kryesore të Shkodrës.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




