Verdikti i Apelit/ Berisha: Sot tre gjykatësit lexuan vendimin e përgatitur të Edi Ramës

Kreu i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila riktheu çështjen e vulës së PD-së, në gjykatën e shkallës së parë.
Berisha tha në konferencën për shtyp se tre gjykatësit lexuan sot vendimin e përgatitur më parë nga Edi Rama dhe e paralajmëruar nga opozita, si dhe trupi diplomatik në Tiranë.
“Sot në darkë Edi Rama, komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Sot tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës, të paralajmëruar kohë më parë ambasadorëve të caktuar, të akredituar në Tiranë të paralajmëruar në parlamentin shqiptar.
Sot gjithashtu jemi në një orë, kohë prove të vërtetë dhe unë kam besimin më të madh se demokratët shqiptarë janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht dhe çmim pluralizmin në Shqipëri dhe PD-në.
Vazhdimi i skenarit të filluar me tradhtarin e kombit Amerikane McGongial, të kaluar në një seri etapash sot konkludoi me një vendim të pashembullt në Europë dhe botë”, u shpreh Berisha nga selia blu.
Berisha tha më tej se vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike.
“Në procesin e sotëm dua të informoj shqiptarët se ata të cilët kishin kërkuar zyrtarisht të shpalleshin palë, i thanë gjykatës se nuk kemi qenë palë në proces, por gjykatësit lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës dhe anuluan tre ditë, tre ditë pasi e mbajtën 9 muaj, anuluan tre ditë para skadimit të afatit të regjistrimit në zgjedhje, një vendim legjitim, vetëm e vetëm se ishte urdhëruar nga Edi Rama.
Çdo gjykatës me integritetin minimal, kur pala tjetër deklaronte se nuk ishte palë në këtë proces, mbyllte procesin dhe nuk vazhdonte më tutje, por ata kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike”, tha Berisha.
Sipas tij, ky vendim vjen në një kohë kur opozita po proteston ndaj qeverisë së kryeministrit Rama.
“Ky vendim vjen në një kohë kur opozita është e angazhuar në një revolucion demokratik, paqësor, me të cilin ajo është e betuar të përmbysë monizmin e Edi Ramës, është e betuar të ju rikthejë shqiptarëve votën e lirë.
Në këtë kontekst unë i bëj thirrje anëtarëve dhe simpatizantë të PD-së të ngrihen në lartësinë e tyre të misionit historik, misionit të shpëtimi të pluralizmit, demokracisë, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë. Çdo shqiptar sot në shumë se kurrë pret nga guximi ynë, qëndrimi ynë realizimin e këtij misioni. Unë kam besim të madh, se siç kapërcyem në mënyrën më legjitime, më të vendosur të gjitha kurthet, përpjekjet për asgjësimin tonë, ne do të kapërcejmë çdo pengesë dhe vështirësi”, u shpreh Berisha.
Berisha shtoi se Partia Dekokratike do të mbledhë në ditët në vijim forumet dhe do të marrë vendimet përkatëse ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama.
“Opozita është mision i lartë moral. Të mendosh, të diktosh me tre gjykatës të cilët i gjen dhe urdhëron të lexojnë një vendim të parapërgatitur në zyrat e tua, mban të gjithë përgjegjësinë dhe dëshmon se je njëlloj si baba yt biologjik, daja yt biologjik, një xhelat i të vërtetave, normave demokratike, lirisë, dhe meriton çdo ndëshkim.
PD-ja është sot një parti më e fuqishme se kurrë, ajo do të mbledhë këto ditë forumet e saj dhe mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”, ka përfunduar ai.
Ndërkaq, burime nga PD bëjnë me dije për rtsh.al se grupi demokrat i Enkelejd Alibeajn pritet të vendosë nesër për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren pas vendimit të gjykatës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



