Vettingu në politikë, Rama flet për herë të parë për propozimin e Bashës

Kryeministri Edi Rama, në dalje të selisë së PS, ka folur për herë të parë për propozimin e kreut të PD, Lulzim Basha, për vettingun në politikë. Zoti Rama tha se pranon të ulet në tryezë me opozitën, për të dëgjuar argumentet e tyre, për të dhënë argumentet e tij, për të marrë mendimin e ekspertëve të fushës dhe në fund për të nxjerrë konkluzione.
I pyetur se çfarë u diskutua në takimin dy orësh, zoti Rama u shpreh shkurtër se: “kjo është mbledhje parti, nuk është ndonjë temë me interes të madh publik. Çështje organizative, çështje të analizave në qarqe”.
“Mosdakordësitë mes palëve janë normale, diskutohen, çfarë mund të realizohet, realizohet. Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite. Në tre vite gjërat evoluojnë, argumentet po. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën. Seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile,” tha Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




