Vijon sërish protesta në fshatin Lumas të Kuçovës për burimin e Sinecit

Vijon sërish protesta në fshatin Lumas të Kuçovës për burimin e Sinecit. Teksa banorët e fshatit Lumas kishin shkuar për të protestuar kundër ndërtimit të ujësjellësit pranë njësisë administrative të zonës, ka pasur një degjenerim të dhunës dhe përplasjes mes grupeve të ndryshme të qytetarëve. Në të njëjtën kohë pranë njësisë kanë shkuar banorët e disa fshatrave të tjerë që janë pro ujësjellësit, dhe në final janë përleshur mes tyre.
Punonjësit e policisë po tentojnë të shuajnë konfliktin mes grupeve të ndryshme të banorëve, ndërkohë që në vendin ku po mbahet protesta janë të pranishëm dhe punonjës të Bashkisë së Kuçovës, që duket se po nxisin më tej dhe konfliktin.
Historia për ndërtimin e ujësjellësit vijon prej disa muajsh në fshatrat e Kuçovës, ku banorët e Lumasit kërkojnë që ai të mos ndërtohet duke marrë ujin e burimit të Sinecit që është edhe atraksion turistik për zonën. Protestat e tyre kanë qenë pothuajse të përditshme, ndërkohë që janë ndeshur dhe me dhunën e policinë dhe heshtjen e institucioneve lokale. Nga ana tjetër janë dhe banorët e fshtrave Vodëz apo Krekëz, të cilët thonë se duan ujë në shtëpitë e tyre, dhe kërkojnë që ujësjellësi të vijojë sa më shpejt.
Protesta e banorëve të Lumasit është përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit, ku 5 prej banorëve kanë hyrë në grevë urie, dhe kërkojnë dorëheqjen e drejtorit të Policisë Ardi Veliu, pasi sipas tyre është ai që ka urdhëruar efektivët në Kuçovë që të ushtrojnë dhunë ndaj tyre.
Janë rreth 5 mijë persona që do të furnizohen me ujë nga ujësjellësi i ri, që po ndërtohet nga Bashkia e Kuçovës, por prishja e burimit të Sinecit, sipas banorëve të Lumasit është me pasoja të rënda për jetën e tyre, dhe e vetmja zgjidhje që do iu mbetej në këtë rast ishte të braktisnin shtëpitë e tyre.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




