Vizita në Tiranë/ Rama: Të nxisim bizneset e Luksemburgut të investojnë në Shqipëri! Bettel: Të shmangin tensionet në Ballkan

Politikë | 4 vite më parë

“Luksemburgu ka qenë gjithmonë avokate e Shqipërisë në instancat ndërkombëtare duke kërkuar hapjen e negociatave” deklaroi kryeministri Edi Rama duke i shprehur falënderimit kryeministrit të Luksemburgut Xavier Bettel gjatë vizitës së tij të parë në Tiranës. Rama tha se tashmë fokus i dy vendeve është që të zhvillojnë më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimet ekonomike. Rama tha se kompanitë dhe bizneset e Luksemburgut kanë shfaqur interes për vendet e rajonit dhe se duhet të gjenden mënyra për t’i tërhequr ato të investojnë në Shqipëri.

“Kënaqësi të pres sot një mik të çmuar sepse ai ka qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim. E falënderoj publikisht se në të gjitha instancat kryeministri ka qenë avokat i yni edhe kur nuk ishim të pranishëm. E falënderoj që mbajti fjalën për të vizituar Shqipërinë dhe kjo përkon në një moment të veçantë 100 vjet nga njohja që Luksemburgu i bëri shtetit shqiptar. Ndamë qëndrimin e përbashkët për dënimin e agresionit rus dhe mbështetjen e Ukrainës, diskutuam për vijimësinë e procesit që BE do të zhvillojë me vendet që duan të anëtarësohen. Dëshirojmë të kemi më shumë interes dhe aktivitet nga kompanitë e biznesit atje, në vizitën e kthimit do kemi një takim me to. Kompanitë kanë shfaqur interes me vendet e rajonit dhe është e rëndësishme t’i ftojmë duke u përpjekur që të kapërcejmë barrierat që i pengojnë të vijnë në Shqipëri”, tha Rama.

Edhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se dy vendet kanë potencial të madhe për të shkëmbyer e bashkëpunuar në shumë fusha si ekonomi, turizëm, kulturë dhe arsim. Ai i bëri ftesë Ramës të vizitojë Luksemburgun, ku do të zhvillojnë edhe një takim me bizneset.

“Ka potencial për marrëdhënie sidomos në bizneset. Do të vish vetë në Luksemburg për të parë se si do të bindim palët që të investojnë në Shqipëri, përveç çështjeve ekonomike mund të punojmë edhe në nivelet kulturore, por edhe me studentët dhe shkëmbimet e universiteteve. Edhe turizmi mbetet një pjesë e rëndësishme si ta zhvillojmë atë më tej”, tha Bettel.

Ai foli edhe për hapjen e negociatave të Shqipërisë ku tha se ishte e padrejtë që një vend të mbahej peng për interesa politike kombëtare, ndërsa shtoi se në Ballkan duhen shmangur tensionet dhe të mos vëmë në pikëpyetje sovranitetin e askujt.

“Nuk mund të mbahen peng vendet për çështje të politikave kombëtare pasi BE nuk është vetëm inertes politik kombëtar. Ballkani ka qenë një fuçi baruti për kontinentit tonë dhe duhet ta shmangim, qoftë Open Balkan, Serbia dhe Kosova po dialogojnë, është e rëndësishme të bëjmë parë , nuk mund t’i lejojmë vetes të krijojmë tensione shtesë. Dhunimi i sovranitetit nuk duhet të vihet në pikëpyetje. , por duhet të gjejmë zgjidhje. Për sa kohë duhet ti lejojmë vetes një zgjidhje pa zgjidhje”, tha Bettel.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me homologun e Luksemburgut i është përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me integrimin në BE. Rama tha se Shqipëria nuk është ende gati pasi sipas tij duhet së pari të përmbushen të gjitha detyrat. Po ashtu, Rama theksoi se edhe ukrainasit nuk duhet ta marrin statusin e vendin kandidat si futje në BE, pasi ky proces theksoi Kryeministri, do të kërkojë shumë kohë.

“Kur ne i kishim bërë detyrat dhe merrnim refuzim pas refuzimi, ne i meritojmë çeljen e negociatave. Jemi gati për të hapur negociata por jo për t’u bërë pjesë. Për veten tonë se është proces që do na ndihmojë jashtëzakonisht. Pastaj të jemi pjesë e familjes evropiane si shtet anëtar.

Ne nuk kemi arsye të kërkojmë përshpejtim artificial për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe në Kiev e thashë që uroj që ukrainasit statusin e kandidatit të mos e marrin si futje në BE, se do zhgënjehen, sepse do kërkojë kohë të gjatë edhe për Ukrainën. Por mendoj që për shkak të kësaj situate duhet bashkërisht të përshpejtojmë procesin e përafrimit politik mes vendeve që negociojnë jo anëtarë dhe anëtare në aspektin e Komunitetit të ri politik.

Thellim të procesit të evropianizimit të të gjithëve së bashku. Ne kemi idetë tona. Po punojmë edhe me qeverinë holandeze për një propozim të përbashkët si mund të bëhet ky thellim. Këtë proces mund ta përshpejtojmë. Por anëtarësimin s’mund ta përshpejtojmë dhe këtu s’mund t’i kërkojmë asgjë askujt. Ne duhet të bëjmë detyrat tona, për veten tonë, jo për Evropën. Tani ne nuk jemi gati, kur të përmbushim detyrat do themi jemi gati”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme