Vizitë në Universitetin e Arteve, ministrja Kushi: Procesi mësimor vijon normalisht

Sociale | 4 vite më parë

Në vijim të vizitave në universitetet e vendit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, këtë herë zhvilloi një takim në Universitetin e Arteve. Ministrja u prit nga rektori i Universitetit të Arteve Kastriot Çaushi, i cili theksoi se fillimi i këtij viti akademik ka qenë krejt normal.

Gjatë fjalës së saj me studentët dhe stafin akademik, ministrja theksoi se java e parë e vitit akademik gjithmonë nis me disa procese, përveç procesit mësimor, ka edhe procese si regjistrimi, ndarja nëpër klasa, orari. Ndërsa kjo javë e gjen universitetin më të stabilizuar dhe procesi mësimor i gjithë universitetit do të vijojë normalisht.

Më tej Kushi vuri në dukje punën që Ministria e Arsimit po bën në disa drejtime dhe që lidhen ngushtësisht me Universitetin e Arteve.

“Jemi duke punuar së bashku me ekipin drejtues, rektorin dhe një pjesë të dekanëve e pedagogëve që edhe ky universitet me statusin e veçantë të ketë disa aspekte më shumë për zhvillimin, autonominë, kualifikimin, dhe besoj këtë vit do të punojmë intensivisht që ta përfundojmë këtë proces,” – theksoi ministrja.

Gjithashtu, Kushi theksoi se puna vijon edhe për një paketë ndryshimesh dhe reformimi për shkollat artistike që të marrin një tjetër hov dhe gjallëri; për ndryshimin e Ligjit të Arsimit Parauniversitar. Ndërkohë, në janar nis programi i Artit, Zejeve dhe Sporteve fillimisht në 200 shkolla, me një zë të veçantë në buxhet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme