Vlerësimi i BSH: Rritja e çmimeve e përkohshme! Asnjë rrezik për ekonominë!

Banka e Shqipërisë parashikon stabilizim të çmimeve në fillim të vitit të ardhshëm dhe rritjen e përgjithshme të tyre në këtë periudhë, nxitur edhe nga faktorë ndërkombëtarë e cilëson si të përkohshme.
Në një konferencë për shtyp, Guvernatori Gent Sejko tha se rritja e çmimeve justifikohet me rritjen e fortë të kërkesës botërore.
“Çmimet e lëndëve të para, të ushqimeve dhe produkteve energjetike kanë njohur një rritje të shpejtë muajve të fundit. Kjo rritje ka pasqyruar si rimëkëmbjen e kërkesës botërore ashtu edhe vështirësitë që ka pasur niveli i ofertës në nivelet e parakrizës”, tha Guvernatori.
Gjithsesi, Sejko u shpreh se rritja e çmimeve do të jetë e ndjeshme dhe mund të përbëjë një rrezik për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Sipas tij, niveli aktual i inflacionit nuk përbën faktor rreziku për ekonominë, ndërsa u shpreh se Banka e Shqipërisë është e gatshme që të ndërhyjë me politikat e saj monetare në rast të kundërt.
“Ky ndikim pritet të jetë kalimtar, por ai përbën një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe potencialisht për shpejëtsinë rimëkëmbjen ekonomike. Këshilli Mbikëqyrës është i gatshëm të rishikojë politikën monetare në mënyrë që ai të jetë në përputhje me objektivin tonë të inflacionit”, tha Sejko.
Sa i takon punësimit, kreu i Bankës së Shqipërisë tha se mbetet në nivele të ulta dhe foli edhe për ‘nevojën për të vazhduar mbështetjen dhe stimujt makroekonomikë’.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




