Vllaznia e Tirana, gjysmëfinaliste

Vllaznia dhe Tirana janë gjysmëfinaliste të Play-off për titull kampion në volejboll për femra. Në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar ka ardhur drejtpërdrejtë nga Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër takimi mes Vllaznisë e Barletit Volej.
Një set i parë intensive, që pas 30 minutash është zgjidhur në pikët shtesë në favor të skuadrës shkodrane. Nga tre mundësi të djegura si nga Vllaznia, ashtu dhe Barleti Volej për të mbyllur setin e parë. 24-24, 25-25, 26-26, 27-27, 28-28 dhe në fund 30-28 për Vllazninë. Skuadra shkodrane dallohet në shërbim veçanërisht me Stela Agollin, por edhe Sierra Posadën.
Seti i dytë edhe më i kontrolluar nga shkodranet 12-9, 16-11 dhe në fund 25-18. Po kështu dhe i treti respektivisht 14-11, 17-13, 22-19 dhe në fund 25-20 e pas një orë e 20 minutash lojë 3-0. Vllaznia e kishte fituar dhe ndeshjen e parë 3-2 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Ndërkohë Tirana bën detyrën, ndërsa mund Pogradecin dhe në ndeshjen e kthimit 3-0.
Në raundin gjysmëfinal të Play-off për titull kampion në volejboll për femra Skënderbeu – Vllaznia dhe Partizani – Tirana, atje ku finalistët caktohen me dy ndeshje të fituara. E shtuna do të jetë për ndeshjet e kthimit të meshkujve, Skënderbeu – Tirana dhe Studenti – Vllaznia, ndërsa ky takim, duke nisur nga ora 20:00, do të vijë drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




