Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë

Futboll Vendi | 5 vite më parë

Një sezon i jashtëzakonshëm i kurorëzuar me një trofe, atë të Kupës së Shqipërisë. Vllaznia ia ka dalë mbanë, duke mundur në “Air Albania”, Skënderbeun me rezultatin 1-0, në një finale emocionuese, me praninë e tifozëve, dhe në fund duke ngritur trofeun e Kupës.

Një ndeshje e dominuar nga kuqeblutë, që me kombinimet e tyre e vunë në vështirësi kundërshtarin. Gjithsesi, pavarësisht mundësive të krijuara, goli i vetëm që vendosi dhe fatin e kësaj sfide u shënua në minutën e 39-të nga Da Silva pas një aksioni të bukur.

Korçarët u munduan me kundërsulmin, krijuan, por pa arritur të konkretizojnë si duhet. Në minutën e 85-të e bënë gjithçka më të vështirë, pasi Zguro u ndëshkua me kartonin e kuq për një ndërhyrje në dëm të Markut.

1-0 deri në fund, dhe Vllaznia ka të gjithë të drejtën të festojë, trofeu i Kupës vishet kuqeblu. Një sezon i jashtëzakonshëm për të besuarit e Brdaric, që për shumë javë, më shumë se çdo skuadër tjetër, komanduan kampionatin, por e humbën atë për diferencë golash.

Por ka arsye për të festuar, trofeu i Kupës është me meritë në duart e tyre. Ky është trofeu i shtatë i këtij lloji në historinë kuqeblu, për herë të fundit e ka fituar në vitin 2008. Një punë e jashtëzakonshme, një ecuri mbresëlënëse e kurorëzuar në fund me trofe.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme