Vlora hap Markatën e re të Peshkut, Salla: Investimi 1.5 mln euro, do modernizojë sektorin dhe rrisë eksportin

Në Vlorë është vënë në funksion Markata e re e Peshkut, e cila me kalimin e saj në pronësi të Bashkisë Vlorë i hap rrugë një prej investimeve për modernizimin e sektorit të peshkimit dhe zhvillimin e ekonomisë blu në vend.
Markata është e integruar me Portin e Peshkimit dhe Portin e Ri Tregtar të Vlorës dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 1.300 m². Ajo përfshin 15 dhoma frigoriferike dhe do të funksionojë sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke garantuar siguri ushqimore, formalizim të tregut, rritje të kapaciteteve të grumbullimit dhe ruajtjes së produkteve, si dhe krijimin e kushteve për eksport të drejtpërdrejtë drejt tregut europian.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se projekti është financuar me një vlerë prej 1.5 milionë eurosh dhe synon përmirësimin e gjithë zinxhirit të sektorit të peshkimit.
“Është një investim që Ministria e Bujqësisë ka dhënë 1.5 milionë euro për të siguruar mbarëvajtjen e sektorit të peshkimit, për ta sjellë në një ambient të sigurt, për ta magazinuar në dhoma frigoriferike dhe për eksport, sepse ne do të marrim edhe certifikatën për eksport”, tha Salla.
Ai theksoi se me këtë investim peshkatarët nuk do të kenë më nevojë të sigurojnë ambiente individuale për ruajtjen e produkteve apo certifikime të veçanta, pasi të gjitha produktet do të grumbullohen dhe ruhen në këtë strukturë të përbashkët.
“Të gjithë peshkatarët nuk do të kenë më nevojë të kenë një ambient të tyre për të siguruar një sipërfaqe të caktuar apo certifikatura; të gjitha produktet e tyre do t’i sjellin këtu. Kemi 15 dhoma frigoriferike për çdo biznes dhe sektor dhe është një ambient i ri. 28 anijet do të kenë mundësinë që të sjellin të gjitha produktet e tyre që të kenë më pas eksportin apo mundësitë e tjera të tregtimit për tregun vendas”, tha ai.
Sipas ministrit, 28 anije peshkimi do të kenë mundësi të depozitojnë produktet e tyre në këtë qendër, duke lehtësuar procesin e tregtimit dhe duke rritur aksesin si në tregun vendas ashtu edhe në atë të eksportit.
Në procesin e funksionimit të Markatës së Peshkut do të jenë të pranishëm edhe inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Inspektorati i Peshkimit si dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese, të cilat do të garantojnë mbarëvajtjen e procesit dhe respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




