Von der Leyen: Nuk jam e interesuar për postin e lartë në krye të NATO-s

Botë | 3 vite më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se nuk ka ambicie që të bëhet shefja e re e NATO-s. Kjo, pasi aleanca ushtarake transatlantike po kërkon një pasardhës të Jens Stoltenberg.

Stoltenberg, një ish-kryeministër norvegjez, ka qenë sekretar i Përgjithshëm i NATO-s që nga viti 2014.

Mandati i tij do të duhej të përfundonte vitin e kaluar, por u zgjat për të siguruar stabilitet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në fillim të vitit 2022.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s do të zgjedhin një pasardhës të tij kur të takohen për një samit në Vilnius, Lituani, më 11-12 korrik.  Asnjë kandidat nuk është propozuar ende publikisht. Stoltenberg duket se nuk ka gjasa ta zgjasë përsëri mandatin.

Von der Leyen, e cila në vitin 2019 doli si një kandidate surprizë për të udhëhequr degën ekzekutive të Bashkimit Evropian, është komentuar rregullisht se mund të jetë udhëheqësja e ardhshme e NATO-s. Zyrtarë dhe ekspertë sugjerojnë se është koha që një grua të marrë timonin e drejtimit për herë të parë.

Von der Leyen, një politikane 64-vjeçare e qendrës së djathtë nga Gjermania, shërbeu si ministre e Mbrojtjes e vendit të saj nga 2013 deri në 2019. Por ajo e hodhi poshtë idenë e kalimit në NATO kur u pyet mbi këtë mundësi gjatë një intervistee me transmetuesin gjerman WDR.

“Unë, sigurisht, nuk jam në dispozicion për këtë,”- u përgjigj ajo. “Mendoj se NATO është e mrekullueshme dhe nëse nuk do të ekzistonte do të duhej të krijohej. Më pëlqeu shumë, shumë puna në NATO si ministre e Mbrojtjes, por sigurisht që nuk jam e disponueshme për atë punë. Vendi im është në Evropë.”

Von der Leyen përsëri refuzoi të thoshte nëse ajo do të kërkojë një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit të ardhshëm.  Ajo tha se planifikon të marrë këtë vendim në gjysmën e dytë të vitit. Apnews

/rtsh.al/ a.m/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme