Vota e diasporës, PD kallëzon në SPAK për shpërdorim detyre Kryetaren e Kuvendit

Politikë | 2 vite më parë

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pengim për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mosrealizimin e votës së diasporës.

Në kallëzim, PD përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit e drejta e emigrantëve për të votuar po cenohet për shkak të boshllëkut ligjor dhe se është detyrim i Kuvendit që të plotësojë këtë boshllëk brenda një viti. Por, sipas tyre, Kryetarja e Kuvendit nuk ka krijuar kushtet për përmbushjen e këtij detyrimi.

PD akuzon Nikollën për tre shkelje duke renditur si të parin mos dërgimin brenda afatit të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit shqyrtimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Këshilli i Legjislacionit, duke penguar rrjedhimisht, sipas tyre, ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.  

Po ashtu, sipas tyre, Këshilli i Legjislacionit kishte vendosur për t’i dërguar Komisionit për Reformën Zgjedhore fillimin e punës  për plotësimin e boshllëkut ligjor të konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, por akuzojnë se ky material nuk është përcjellë administrativisht tek bashkëkryetarët e Reformës Zgjedhore.

Si shkelje të tretë të Nikollës, PD thekson se projektligjet e depozituara prej tyre për votën e diasporës nuk janë shqyrtuar.

Për sigurimin e votës së diasporës janë ndërmarrë disa nisma, por ende nuk ka një finalizim. Në mënyrë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se nevojitet që boshllëqet ligjore të plotësohen brenda këtij sesioni parlamentar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme