Vrasja e turistit në Ksamil, autori i dënuar me 5 vite burg në Angli për trafik droge, zbardhen detajet

Të tjera detaje dalin në dritë për 29-vjeçarin Sokrat V., i dyshuar për vrasjen e turistit 20-vjeçar në Ksamil. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Afrovita Hysaj, i riu shqiptar nuk është i panjohur për autoritetet, pasi rezulton se është arrestuar dhe dënuar në vitin 2024 në Angli për trafik narkotikësh.
Sipas raportimeve të mediave britanike në atë kohë, 29-vjeçari u dënua me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Kembrixh, pasi pranoi një sërë akuzash, mes tyre dy akuza për posedim të lëndëve narkotike të klasit A me qëllim furnizimin, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës. Ngjarja që çoi në arrestimin e tij në Angli kishte ndodhur më 30 prill. Policia në Kembrixh e pikasi 29-vjeçarin duke drejtuar një Toyota RAV4 të vjedhur. Kur efektivët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi.
Sipas raportimeve, Sokrat V., ndaloi për të lënë një pasagjer dhe më pas vazhdoi drejt Clara Rackham Road, ku braktisi automjetin dhe u largua me vrap, ndërsa dyshohet se hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Pas ndjekjes dhe kapjes nga policia, gjatë kontrollit 29-vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv edhe për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Por 29-vjeçari rezulton se ka qenë i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje në Kent. Më 13 prill të vitit 2024 ku teksa po drejtonte një automjet me targa të klonuara, 29-vjeçari është konstatuar nga autoritetet dhe nuk i është bindur urdhrit për ndalim. Pas ndjekjes nga policia, makina e tij u përmbys dhe pas kontrollit iu gjetën qese me kokainë dhe targa. Në vendimin e Gjykatës së Kurorës në Kembrixh, gjyqtari e dënoi me pesë vite burg, pasi 29-vjeçari kishte pranuar akuzat ndaj tij.
Tashmë, emri i 29-vjeçarit është rikthyer në vëmendje pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku një turist rreth 20 vjeç u gjet pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, rreth orës 05:15. Sipas Policisë shqiptare, viktima dyshohet se u godit me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta. I dyshuari është larguar nga vendngjarja dhe policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




