Vrasja në azil – autori shtrohet në psikiatri, dy infermieret në arrest shtëpie

Aktualitet | 2 vite më parë

Gjykata e Tiranës ka vendosur shtrimin në psikiatri për autorin e dyshuar të vrasjes së 82-vjeçarit Virgjil Vesho.

78-vjeçari Zyhdi Shehi do të mbahet në një spital psikiatrik, ndërsa për dy infermieret që dyshohet se e fshehën ngjarjen, është vendosur masa e arrestit në shtëpi.

Më 8 gusht, Shehi goditi për vdekje shokun e dhomës në godinën e shtëpisë private për të moshuarit ku ata banonin. Plagët fatale u shkaktuan nga një bastun metalik rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur Vesho ishte në gjumë, ndërsa Shehi e kishte fajësuar se i kishte zënë krevatin.

Sipas njoftimeve paraprake, autori vuante nga skleroza dhe nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për veprimin e tij.

Policia pretendon se infermieret kishin qenë në dijeni të ngjarjes së ndodhur, por nuk i kishin njoftuar në kohë autoritetet. Sipas hetimeve paraprake, pasi panë që i moshuari kishte ndërruar jetë ato nuk njoftuan policinë, por morgun dhe një agjenci funerale për të tërhequr trupin. Më pas në morg janë zbuluar dëmtimet serioze te i moshuari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme