Vuçiq: Tajvani është Kinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha rrjetit televiziv kinez, CGTN, se Tajvani është territor i Kinës dhe se i takon Kinës të vendosë se çfarë të bëjë me të, citon REL.
I pyetur për çështjen e këtij territori, Vuçiq tha se nuk i duhen më shumë se dhjetë sekonda për t’u përgjigjur.
“Tajvani është Kinë dhe varet prej jush se çka, kur dhe si do të veproni me të. Pikë!”, tha Vuçiq.
Kina e trajton Tajvanin si territor të sajin renegat, ndërsa Tajvani e sheh veten si shtet sovran.
Vuçiq tha se politika e Serbisë është “një Kinë” dhe se do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të ardhmen.
“Ai është territori juaj, është populli juaj. Ju jeni vend sovran, ju i merrni vendimet. Mbështetjen e popullit serb do ta keni gjithmonë”, shtoi ai për CGTN-në.
Serbia llogarit në mbështetjen e Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, në lidhje me mosnjohjen e Kosovës si shtet.
Serbia është duke negociuar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, është duke forcuar edhe marrëdhëniet me Kinën, me të cilën bashkëpunon në fushën e infrastrukturës dhe mbrojtjes.
Kina dhe Tajvani kanë qeveri të ndara që nga përfundimi i një lufte civile në vitin 1949.
Flamuri i SHBA-së dhe i Kinës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Pekini, prej kohësh, përpiqet që t’i kufizojë aktivitetet ndërkombëtare të Tajvanit.
Sovraniteti i Tajvanit njihet nga 13 vende në botë, por Qeveria e tij, e zgjedhur në mënyrë demokratike, ka lidhje të forta ekonomike dhe joformale me shumë vende.
( Sipas REL )
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



