Vula e Partisë Demokratike, Elona Mihali caktohet gjyqtarja e çështjes

Elona Mihali do të jetë gjyqtarja relatore në çështjen e vulës së Partisë Demokratike në Apel, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacera e Astrit Kalaja. Zgjedhja e tyre u bë me short këtë të premte, pas shkrirjes së gjykatave të Apelit në rrethe më 1 shkurt dhe transferimin e dosjeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Partia Demokratike është tashmë e përçarë në dy kampe, nga njëra anë ai që udhëhiqet nga Sali Berisha dhe nga ana tjetër grupimi i Enkelejd Alibeajt. Prej kohësh PD është përfshirë në debatin se kujt i takon drejtimi i kësaj partie, ndërsa në Apel do të shqyrtohet ankimi i vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili në 25 mars të 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, duke konfirmuar Kuvendin e 11 dhjetorit, bashkë me statutin e ri të partisë dhe vendimmarrjet e tjera, të cilat shkarkonin Lulzim Bashën dhe lidershipin e tij, duke e kaluar partinë në duart e Berishës.
Vendimi në lidhje me këtë çështje do t’i jepte fund konflikteve brenda PD, duke përcaktuar se kujt do t’i përkasë partia më e madhe opozitare në vend. Kujtojmë se kjo përçarje ka sjellë probleme për PD-në edhe për regjistrimin e saj në zgjehdjet lokale të 14 majit, për shkak se të dy grupimit kanë dërguar nga 1 listë me anëtarët e KZAZ-ve. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi deklaroi pak ditë më parë se ata po verifikojnë dokumentacionin, duke bërë thirrje që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, teksa paralajmëroi se PD rrezikon edhe të mos regjistrohet në zgjedhje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




