Xhaçka: Arritjet tona janë pranuar në mënyrë unanime nga 27 vende të BE!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka deklaruar se arritjet e Shqipërisë janë pranuar në mënyrë unanime nga 27 vende të BE, ndërsa tha se objektiv i MEPJ për vitin 2022 është “mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare në kohë sa më të shkurtër”. Zonja Xhaçka i bëri deklaratat e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian që u mbajt të hënën, ku u diskutua ecuria e procesit të integrimit evropian.
Zonja Xhaçka u shpreh se, “Konkluzioni i dhjetorit të Këshillit të BE është që të mbahet sa më shpejt Konferenca e parë Ndërqeveritare”.
“Arritjet tona janë pranuar në mënyrë unanime nga 27 vende të BE”, tha zonja Xhaçka, ndërsa shprehu keqardhjen se “Shqipëria vijon të mbetet dëm kolateral i mosmarrëveshjes Bullgari- Maqedonia e Veriut”.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme këmbënguli se “i kemi kryer “detyrat e shtëpisë” në zbatimin e programit të reformave gjithëpërfshirëse”. Ajo nënvizoi se, “raporti i Komisionit thekson se Shqipëria i ka plotësuar kushtet” dhe se ajo ka dëshmuar veten si një partner i besueshëm i BE”.
Xhaçka nënvizoi se objektiv i MEPJ për vitin 2022 është, “mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare në kohë sa më të shkurtër”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




