Xhaçka vizitë në Athinë, takim me Dendias: Bisedë konstruktive! Ministri i Jashtëm grek: Çështja e detit të referohet në Hagë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka zhvillon ditën e sotme një vizitë zyrtare në Athinë, ku është takuar me homologun grek Nikos Dendias.
Bisedimet janë fokusuar në marrëdhëniet greko-shqiptare në të gjitha fushat, por edhe në zgjidhjen e çështjes së detit, proces që palët e kanë dërguar për zgjidhje në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.
Vetë ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias tha se do të shqyrtojë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje që do t’i referojë përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Ndërsa ministrja Olta Xhaçka e cilësoi si një takim konstruktiv për rritjen e bashkëpunimit në të mirë të dy popujve si dhe të ardhmes së rajonit.
“Gjatë takimit të dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe shkëmbyen ide për përmirësimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen. Ata diskutuan gjithashtu agresionin e paligjshëm rus kundër Ukrainës dhe ndikimin e tij në rajon. Ministrja Xhaçka theksoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë mbështeten nga miqësia mes dy vendeve dhe popujve, partneriteti në NATO-s dhe vizioni i përbashkët për të ardhmen evropiane të rajonit. Ajo nënvizoi gjithashtu faktin se të dyja vendet kanë vendosur një nivel efektiv dhe konstruktiv bashkëpunimi për të gjitha çështjet me interes të përbashkët. Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe shprehu besimin se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i dobishëm për rajonin në tërësi. Gjatë takimit ministrat u ndalën edhe diskutuan ne parim çështjet që kanë të bëjnë me gjetjen e zgjidhjeve te nevojshme përfshirë ligjin e luftës, marrëveshjet kufitare mes dy vendeve, referimin në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë të çështjes së kufizimit të zonave detare, duke shprehur përkushtimin për të ecur përpara drejt zgjidhjeve me përfitim reciprok”, shkruan Xhaçka.
Gjithashtu në fokus të bisedimeve do të jenë çështjet me interes evropian dhe rajonal, duke përfshirë zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit rus, situatën në Mesdheun Lindor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka vizituar Shqipërinë në tetor 2020 dhe maj 2022.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




