Xhudo dhe Karateja në Kupën e Ambasadorit

100 vjetori i miqësisë Shqipëri – Japoni, kjo dhe në kuadrin e javës kulturore japoneze, solli në sallën olimpike “Feti Borova” Kupën e Ambasadorit. Karateja dhe xhudo janë bërë bashkë, ndërsa të pranishëm ishin dhe instruktorë Sakagavi dhe Nishakami, të cilët kanë demonstruar dhe vetë në tapet. Por si vjen ky aktivitet për Federatën Shqiptare të Karatesë dhe të Xhudos dhe cilët janë marrëdhëniet me Japoninë? Petrit Baba dhe Dashamir Xhixho shpjegojnë për RTSH Sport.
“Ambasada e Japonisë dhe populli i Japonisë na ka dhënë një bazë materiale prej 76 mijë eurosh, që është bazë materiale, me të cilën mund të zhvillojmë dhe një Kampionat Europian”, ka thënë Petrit Baba.
“Marrëdhëniet e xhudos shqiptare me Ambasadën e Japonisë në Tiranë janë të shkëlqyera. Ata duan ta ngrenë në një nivel të lartë xhudon shqiptare dhe për këtë arsye kanë sjellë dhe një instruktor, i cili teknikat e tij i ka ushtruar me sportistët shqiptarë. Ndaj dhe jemi të kënaqur”, ka thënë Dashamir Xhixho
Në ceremoninë e hapjes së aktivitetit ka qenë i pranishëm dhe ambasadori i Japonisë në Tiranë, Mitsujuki Takada, që ka qenë më shumë se sa i kënaqur me pjesëmarrjen.
“Jam shumë i kënaqur që në javën e kulturës japoneze të arrijmë të demonstrojmë dhe artet marciale, mbi të gjitha sportet tona tradicionale, xhudo e karate. Për këtë arsye jam shumë falënderues ndaj Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranë, por mbi të gjitha Federatës Shqiptare të Karatesë dhe të Xhudos, që u bënë dhe erdhën në këtë aktivitet. Sporti bashkon dhe ne mendojmë që miqësia me Shqipërinë dhe bashkëpunimi do të jetë dhe më i fortë në vitet në vazhdim”.
E për rreth dy orë, sportistë të xhudos dhe të karatesë kanë demonstruar vlerat e tyre në sytë e japonezëve pas së cilës ka ardhur dhe shpërndarja e kupave, medaljeve dhe diplomave për pjesëmarrësit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




