Xi: Do të vijojmë të nxisim paqen e zhvillimin e botës dhe të mbrojmë rendin ndërkombëtar!

Botë | 5 vite më parë

Partia Komuniste e Kinës (PKK) do të vazhdojë të punojë me partitë politike të të gjitha vendeve për të promovuar paqen në botë, për të kontribuuar në zhvillimin global dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar, tha të martën sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe presidenti i Kinës Xi Jinping.
Duke mbajtur një fjalim të rëndësishëm në Samitin virtual mes PKK-së dhe Partive Politike Botërore me anë të një videolidhjeje nga Pekini, Xi Jinping-u theksoi se një e ardhme më e ndritur mund të realizohet vetëm nëpërmjet shtimit të bashkëpunimit global.
“Historia na tregon se vetëm duke punuar krah për krah mund të arrijmë përparim të qëndrueshëm. PKK-ja është e gatshme të punojë me partitë politike të të gjitha vendeve për t’i bërë ëndrrat realitet dhe për të ndërtuar të ardhmen me anë të veprimit. Ne do të mbetemi pa mëdyshje krijues të paqes botërore, kontribues në zhvillimin global dhe mbrojtës të rendit ndërkombëtar,” theksoi Xi.
Më tej ai shtoi: “Nuk ka një model të ngulitur për rrugën drejt modernizimit dhe ai që i përshtatet më mirë një vendi është modeli i duhur. “Të presësh këmbët që të të rrinë mirë këpucët” nuk do të çon askund. Të gjitha përpjekjet e vendeve të veçanta për të eksploruar në mënyrë të pavarur rrugën e modernizimit mbi bazën e kushteve të tyre të veçanta kombëtare, ia vlen të respektohen”.


 



Sipas kreut të PKK-së dhe të Kinës, është provuar se socializmi me karakteristika kineze është rruga e duhur për zhvillimin e vendit dhe Kina do të vazhdojë në këtë rrugë për të kërkuar vetëzhvillimin dhe për të sjellë më shumë përfitime për botën.
PKK-ja dëshiron të ndajë përvojën e saj të modernizimit me partitë politike të vendeve të ndryshme dhe të bëjë përpjekje të përbashkëta për ta çuar globalizimin ekonomik drejt një zhvillimi më të hapur, gjithëpërfshirës, të ekuilibruar dhe me përfitime për të gjithë, vuri në dukje Xi.
“PKK-ja është e gatshme të ofrojë edhe më shumë zgjidhjet dhe forcën e Kinës në procesin e pakësimit të varfërisë së njerëzimit në tërë botën. Kina gjithashtu do të mbështesë plotësisht bashkëpunimin ndërkombëtar antipandemik, duke punuar që vendet në zhvillim të kenë mundësi më të mëdha për marrjen e vaksinave dhe përballimin e kostos së tyre. Kina do të bëjë edhe përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për të vënë në jetë premtimin e saj për arritjen e kulmit të lëshimit e të asnjanësimit të karbonit dhe do të japë kontribut më të madh në përgjigjen globale ndaj ndryshimeve klimatike”, tha Xi.
Ai theksoi gjithashtu se Kina do të mbrojë me vendosmëri objektivat e parimet e Kartës së OKB-së dhe sistemin e konsultimeve të përbashkëta për çështjet ndërkombëtare.



“Unë dua të ritheksoj se Kina do të jetë gjithmonë një anëtare e botës në zhvillim dhe do të jetë e përkushtuar me vendosmëri për forcimin e përfaqësimit dhe të zërit të vendeve në zhvillim në sistemin e qeverisjes globale. Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni, ekspansion ose sfera influence,” tha ai.
Samiti mes PKK-së dhe Partive Politike Botërore me temë “Për mirëqenien e popullit: Përgjegjësia e partive politike” pati si pjesëmarrës më shumë se 500 udhëheqës të partive politike dhe organizatave politike nga mbi 160 vende, ndërsa u ndoq në internet nga rreth 10 000 përfaqësues të partive nga mbarë bota.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme