Zelensky në Hagë/ Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, shpërthime gjatë natës në Kiev

Të tjera shpërthime janë regjistruar gjatë natës në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës. Këto sulme vijnë një ditë pas akuzave të artikuluara nga Rusia mbi pretendimet për një sulm nga Ukraina.
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes (4 maj), sirenat e sulmit ajror ranë në shumë rajone të Ukrainës, ndërsa shpërthime të forta u raportuan në Kiev dhe Odesa. Nuk dihet ende nëse nga këto sulme ka viktima.
Sakaq, nga ana tjetër, Rusia ka akuzuar Ukrainën për përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putin, por Zelensky mohoi që vendi i tij të ketë kryer sulmin.
“Ne nuk sulmojmë Putinin apo Moskën. Ne luftojmë në territorin tonë. Ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona“, tha ai.
Pas sulmeve të supozuara me dron, Rusia kërcënoi se do të hakmerrej kur dhe ku e konsideronte të nevojshme.
Të mërkurën (3 maj), sulmet ruse në rajonin jugor Kherson të Ukrainës vranë 21 persona. Zyrtarët thanë se viktimat përfshinin klientë supermarketi dhe punonjës të një kompanie energjetike që po kryenin riparime.
Sulmet e Rusisë mbi Ukrainën, vijnë në një moment ku Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të flasë në Hagë gjatë vizitës së papritur në Holandë, raporton BBC.
Zelensky do të vizitojë gjithashtu Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila po heton krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë. Gjatë vizitës së tij në Holandë, Zelensky pritet të takohet me kryeministrin holandez Mark Rutte, për të biseduar lidhur me kërkesat e presidentit ukrainas për më shumë mbështetje ushtarake, e kryesisht për armë me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



