Zelimkan Abakarov pranë medaljes europiane

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Zelimkan Abakarov mbetet krenaria e mundjes shqiptare edhe në Kampionatin Europian të Zagrebit. Tanimë, teksa gjatë vitit 2022 ishte i artë në Lojërat e Mesdheut në Oran të Algjerisë dhe në Kampionatin Botëror të Beogradit, si dhe i argjendtë në Lojërat e Solidaritetit Islamik në Koniat të Turqisë, medalja e tij është e sigurtë edhe në Zagreb. E artë, apo e argjendtë, gjithçka do të varet nga fati i finales të së mërkurës, teksa në ora 18:00, në peshën deri në 61 kilogram, Zelimkan Abakarov do të jetë përballë armenit Arsen Harutyunian.

Në raundin e parë, Abakarov ka fituar me superioritet në rezultat, 11-0 ndaj gjermanit Niklas Steshele. Madje i tillë është edhe në raundin çerekfinal duke triumfuar 6-2 ndaj ukrainasit Taras Markovish. Në gjysmëfinale, tanimë pasditen e së martës, Abakarov ka triumfuar ndaj gjeorgjianit Shota Partenadze. E në këtë mënyrë, mundja shqiptare do ta ketë të sigurtë medaljen në Kampionatin Europian të Zagrebit.

Ndërkohë në stilin e lirë, në peshën 125 kilogram, Paris Karepi është eleminuar që në raundin e parë, ndërsa është mundur nga italiani Abraham Koniedo, 3-0. Në Europianin kroat të mundjes kanë mbetur në lojë për Shqipërinë, kjo në stilin klasik, apo greko-romak, Bajram Sina në peshën 60 kilogram dhe Kevin Kupi në peshën 77 kilogram. Po kështu në mundjen e femra, Albina Drazhi në peshën 68 kilogram. Gjithsesi me ngjitjen në podium të Abakarov, Shqipëria ndihet në majën e mundjes europiane.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme