Zgjatja e afateve të vettingut, PS i drejtohet ‘Venecias’, opozita bojkoton mbledhjen e komisionit

Maxhoranca ka vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për një mendim lidhur me nismën për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut. Vendimi u mor sot në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku opozita nuk mori pjesë.
“Në rendin e ditës është caktimi i relatorit nga opozita, miratimi i ekspertëve dhe ekspertizës dhe caktimi i detyrave nga ekspertët. Duke qenë se nuk vazhdojmë dot me pikën dy e tre për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës, në këtë mbledhje duke dëshiruar e duke kërkuar patjetër praninë e tyre në mbledhjen e ardhshme për të mirëfunksionuar mbledhja dhe për të ecur para me kalendarin e miratuar në mbledhjen e shkuar”, tha kryetarja e Komisionit Lindita Nikolla.
Më pas, deputetët e maxhorancës votuan që t’i drejtohen për opinion ‘Venecias’, lidhur me propozimin e tyre, ndërsa Fatmir Xhafaj abstenoi.
“Me shumicë miratohet, do i drejtohemi dhe komisionit të Venecias”-, tha Nikolla.
Nuk dihet ende pse opozita po ndjek një strategji të tillë, por miratimi i ndryshimeve kushtetuese kërkon edhe votën e tyre.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




