Zgjatja e mandatit të organeve të Vetingut, opozita braktis mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit

Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, po zhvillohet sot mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Në këtë mbledhje është prezantuar nisma e një grupi prej 39 deputetësh të shumicës parlamentare “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Kjo nismë lidhet me zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, KPK-së dhe Komisionerëve Publikë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj propozoi shtyrjen e seancës për në datën 3 nëntor dhe shqyrtimin në atë mbledhje edhe të nismës së propozuar nga deputetët e opozitës për reformën zgjedhore.
“Më datë 15 tetor është depozituar një nismë nga PS për ndryshimin e Kushtetutës. Më datë 20 është depozituar gjithashtu nga ne projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8417 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar. Të dyja këto nisma, flasim për shtesa dhe ndryshime në të njëjtin ligj, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të dyja këto nisma janë lajmëruar njësoj, në të njëjtën seancë, më datë 25.10.2021 nga ju përpara të gjithë deputetëve të Republikës së Shqipërisë. Ne e shohim që keni respektuar afatin minimal që ka vendosur rregullorja e Kuvendit, sapo janë mbushur 2 javë, keni njoftuar mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit për të shqyrtuar nismën e deputetëve të shumicës, nëse po ky standard do të respektohet nga ana juaj, pasnesër me datë 3 nëntor plotësohet i njëjti afat minimal për shqyrtimin e nismës së paraqitur nga opozita”, tha Rushaj.
“Duke qenë se ligji që ndryshohet, është Kushtetuta, do të duhet të caktojmë relatorët dhe ekspertët për të dy nismat, duke qenë se këto nisma mund apo kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën, ne sensin që mund të kenë ndikime dispozitat tek njëra-tjetra, dhe duke qenë se në kalendarin tre javor janë parashikuar në një pikë, ajo çfarë ne propozojmë është, të shtyhet kjo mbledhje dhe duke prezumuar i njëjti standard, për njoftimin e nismës në këtë mbledhje të përbashkët, do të ruhet edhe për propozimin e pakicës, pra të opozitës, të bëhet kjo mbledhje e përbashkët më datë 3 nëntor, ku të caktohen relatorët e të dyja palëve për të dy nismat dhe kështu të vijojë në mënyrë të harmonizuar shqyrtimi nëpër komisione”, u shpreh ai.
Ndërsa kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u shpreh se mazhoranca propozon që nismat të shqyrtohen të ndara.
“Nisur nga natyra e ndryshimeve që propozohen në të dyja nismat, ne konstatojmë se këto dy nisma nuk mund t’i shqyrtohen të njëjtës procedurë parlamentare dhe duhet të shqyrtohen të ndara nga njëra-tjetra për disa arsye”, tha Bushka.
Ajo shtoi se, “nisma për të cilën është thirrur kjo mbledhje e përbashkët sot lidhet me zgjatjen e afatit të veprimtarisë së KPK-së dhe Komisionerit Publik, me qëllim përmbylljen me sukses të procesit të vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, e cila del në fakt si një domosdoshmëri pas problematikave të konstatuara në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre organeve”.
Së dyti, tha Bushka, “nisma për të cilën është sot në rend dite shqyrtimi, përfshin një numër të kufizuar të grupeve të interesit, për të cilat mbledhja e përbashkët do të kërkojë dhe dhënien e mendimit të tyre”.
Së treti, shtoi Bushka, “ekspertiza që do të nevojitet për shqyrtimin e kësaj nisme do të trajtojë një çështje specifike, siç është vlerësimi i domosdoshmërisë së zgjatjes së afatit të veprimtarisë së organeve të Vetingut”.
Sa më sipër, theksoi Bushka, “shqyrtimi dhe miratimi i kësaj nisme duhet të bëhet nga Kuvendi brenda një afati të shkurtër kushtetues, për të siguruar vijimin e veprimtarisë së organeve të Vetingut. Ndërsa nisma e propozuar për ndryshime kushtetuese nga kolegët e opozitës në fakt ka të bëjë me shumë çështje brenda saj që do të kërkojnë më shumë kohë, më shumë konsultime me grupe interesi”.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se e njëjta procedurë do të ndiqet sapo të mbushet afati kohor edhe për nismën e propozuar nga opozita.
Në këtë moment deputetët e opozitës kanë braktisur mbledhjen, përveç deputetes së LSI, Erisa Xhixho.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




