Zgjedhja e presidentit të Kosovës, Kurti takohet me Abdixhikun: Atmosferë konstruktive, ende pa zgjidhje

Kryeministri Albin Kurti është takuar sërish këtë të martë (3 mars) me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të arritur në një zgjidhje për emrin e presidentit. Nga takimi mes dyshes nuk është arritur në asnjë emër konkret.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do t’iu njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet, mirëpo do t’iu njoftojmë së shpejti”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë ka nisur numërimi mbrapsh për afatin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Një ditë më parë Kurti tha se vendit i duhet një emër që siguron 84 deri në 85 vota në kuti, ndërsa paralajmëroi se për të evituar zgjedhjet do të vazhdojë të punojë deri në arritjen e një rezultati.
Ndërkohë lideri i LDK-së, Abdixhiku ka thënë se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Kreu i LDK-së tha se në këtë fazë nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit.
Vjosa Osmani u zgjedh presidente e shtetit më 4 prill 2021, vetëm në rrethin e tretë të votimit, pasi dy herët e para nuk arriti t’i merrte 80 votat e domosdoshme.
Sipas RTK-së, Kushtetuta e Kosovës thotë se zgjedhja e presidentit të Republikës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Në garë mund të ketë dy e më shumë kandidatë.
Kandidatët mund t’i hyjnë garës pasi t’i kenë siguruar 30 nënshkrime deputetësh, derisa postin mund ta fitojë pasi t’i marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
E nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës.
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




