Zgjedhja e presidentit të ri-Kuvendi i Kosovës shtyn seancën e jashtëzakonshme për në orën 23:00

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për në orën 23:00 procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Seanca e jashtëzakonshme që pritej të niste rreth orës 19:00 është shtyrë për më vonë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, iu drejtua deputetëve se është e detyruar që këtë seancë ta ndërpresë këtu dhe u bëri thirrje që në orën 23:00 të vijnë sërish në seancë plenare.
“Ju kërkoj ndjesë për këtë, por po përpiqem maksimalisht që të gjejmë hapësirë edhe brenda këtyre orëve që vendit t’i japim presidentin me mandat 5 vjeçar”, tha ajo.
Sipas saj, për seancën e orës 23:00, synimi është të sigurohet pjesëmarrja e deputetëve për të plotësuar kuorumin e nevojshëm dhe për të shmangur një krizë institucionale, pasi afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill 2026.
Më herët, Haxhiu tha se deputetët e opozitës po u bëjnë thirrje dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, që të tërhiqen nga gara.
“Në vend që të tërhiqen nga deklaratat që u bëjnë presion kandidatëve që të tërhiqen nga gara, që është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ftoj ata që të vijnë. Dhe nëse kërkojnë fjalë, do t’ua kalojmë edhe fjalën. Por, jo që të flasin nga zyrat e tyre apo nga ambientet e tjera për sa kohë po zhvillohet kjo seancë. Këtu është vendi ku argumentojmë edhe juridikisht edhe politikisht”, u shpreh ajo.
Procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon kuorum të lartë (të paktën 80 deputetë në raundin e parë, dhe më pas 2/3 e votave), prandaj pjesëmarrja e gjerë është thelbësore për të shmangur bllokimin institucional.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




