Zgjedhjet e 25 prillit, Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Votimi, i qetë

Politikë | 5 vite më parë

Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kanë vlerësuar me nota pozitive zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në raportin e tyre, ata kanë vlerësuar se zgjedhjet e 25 prillit janë karakterizuar nga një votim i qetë dhe nga një fushatë e gjallë dhe gjithëpërfshirëse, falë një kornize ligjore që ndihmoi në sigurimin e respektimit të lirive themelore.

Në raportin e  reporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thuhet se korniza ligjore e zgjedhjeve përbën një bazë të përshtatshme për zhvillimin demokratik të zgjedhjeve.

“Ndryshimet e fundit në kornizën ligjore ofruan masa mbrojtëse shtesë dhe bazoheshin në një hapësirë të gjerë konsensusi politik; ndërsa një numër rekomandimesh të Komisionit të Venecias ODIHR u adresuan tek reforma, disa rekomandime mbeten të pazbatuara”, thuhet në raport.

Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës theksojnë se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se kjo administratë në të gjitha nivelet në përgjithësi gëzonte besimin e palëve të interesuara.

“Reformimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, si një institucion i mirëorganizuar dhe transparent. Zbatimi i teknologjive të reja si identifikimi dhe votimi elektronik forcoi besimin e procesit zgjedhor”, thuhet në raport.

Delegacioni i Asamblesë shprehu shqetësimin në lidhje me pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike të cilat ishin të përhapura gjatë fushatës.

“Një numër hetimesh u hapën për këtë, Prandaj, delegacioni i Asamblesë pret që autoritetet përkatëse shqiptare të marrin masat e duhura nga hetimet dhe të informohen për rezultatet në kohën e duhur” shkruhet ndër të tjera në raport.

Gjithashtu raporti nënvizon se liria themelore e tubimit ishte respektuar gjatë zgjedhjeve,  subjektet elektorale mund të bënin fushata të lira, pavarësisht nga kufizimet e vendosura për shkak të Covid-19.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme