Zgjedhjet e pjesshme vendore, Celibashi: Nuk raportohen probleme me rëndësi

Politikë | 5 vite më parë

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi doli para mediave për të paraqitur situatën më të fundit rreht procesit zgjedhor për zgjedhjet që po zhvillohen në gjashtë bashkitë e vendit.

Celibashi u shpreh se votimi elektronik ka funksionuar, duke shtuar se problem ka pasur vetëm në 5 qendra votimi pasi nuk ka pasur operatorë.

Kreu i KQZ-së tha se në disa qendra ka pasur raportime nga partitë, që kanë pretenduar se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar.

“Në lidhje me votimin elektronik, vetëm në pesë qendra votimi nuk ka pasur operatorë, pra identifikimi është bërë përmes listës së zgjedhësve të printuar. Në 15 qendra të tjera është bërë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik. 75% e qendrave të votimit janë hapur në orën 07:00, 25% janë hapur deri në orën 07:30. Pra, në 07:30, sipas raportimit që ka KQZ, të gjitha qendrat janë të hapura. Kemi vërë verifikime në terren të situatës në qendrat e votimit dhe në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative. Ka disa probleme që lidhen me mënyrën e procesit të votimit. Në disa qendra kemi pasur raportime nga partitë, që kanë thënë se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar. Kemi komunikuar dhe na kanë raportuar se situata është kthyer në normalitet. Ju bëj thirrje partive politike të mos përfshihen në deklarime publike, që thyejnë heshtjen zgjedhore”, tha Celibashi.

Celibashi ka folur edhe për zgjedhjet në tre qendra votimi në Shkodër, ku për shkak të borës nuk ka qenë e mundur që të shkonin komisionerët.

“Situata ka qenë shumë e vështirë, në kushte ekstreme atmosferike dhe nuk ja vlente barra qiranë të rrezikonin jetën e të shkonin komisionerët atje. Edhe në këmbë e kishin të vështirë të shkonin. Në tre qendrat e votimit në Shkodër nuk është zhvilluar procesi i votimit, por duhet parë në fund nëse do të shpallen zgjedhjet të pavlefshme aty”. –tha ai. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme