Zgjedhjet lokale, PD kërkon anulimin, Gjykata Kushtetuese do flasë të mërkurën

Politikë | 5 vite më parë

E mërkura 23 Qershorit do ta gjejë të mbledhur Gjykatën Kushtetuese për të vijuar shqyrtimin e padisë, nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ishin apo jo kushtetuese. Më shumë se sa një vendimmarrje e karakterit juridik, kjo padi në kushtetuese po ndiqet me shumë interes nga të gjitha forcat politike, e në veçanti nga shumica qeverisëse dhe opozita, e cila i bojkotoi ato zgjedhje.

Kryetarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, vendosi të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar asaj të shpallë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Përpara mbajtjes së seancës së 23 Qershorit, Gjykata Kushtetuese, i ka dërguar palës paditëse një shkresë ku kërkon pjesëmarrjen në seancë vetëm të një personi për shkak të masave anti-covid.

Më 8 Qershor, Pjerin Ndreu, u zgjodh si kryetar i ri i Shoqatës së Bashkive, por gjykata e shkallës së parë Tiranë i ka kërkuar Ndreut të shpjegojë se kush e ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme, cila ka qenë urgjenca e thirrjes së saj. Në tilla kushte kur socialisti Ndreu nuk është certifikuar ende në krye të kësaj shoqate. Drejtimi saj do të vijojë prej Voltana Ademit, e cila kontaktuar tha se do të jetë në seancën e të mërkurës në gjykatën Kushtetuese, bashkë me avokatin e shoqatës. Për këtë çështje, TCH kontaktoi me kryetarin e ri të Shoqatës së Bashkive Pjerin Ndreu, i cili tha:

“Ndryshimet e fundit në shoqatë ia janë çuar gjykatës për miratim dhe jemi në pritje. S’kemi pse ngatërrojmë organizimin e brendshëm të një shoqate me padinë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse do ishte ashtu do procedohej kohë më parë. Mbledhja e Asamblesë dhe vendimet e marra kanë të bëjnë vetëm funksionin e shoqatës”.

Këshilli i Ministrave, si palë në këtë proces, do të përfaqësohet nga zonja Elira Kokona. Me të gjitha gjasat, duke marrë në konsideratë zhvillimet brenda Shoqatës së Bashkive, nuk përjashtohet mundësia që Gjykata Kushtetuese ta shtyj shqyrtimin për një datë tjetër. 

 
 
 

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme