Zgjedhjet lokale/ Vlora voton, 17 kandidatë kërkojnë votat e 323226  zgjedhësve

Politikë | 3 vite më parë

Ka nisur procesi i votimit në qendrat e votimit në qarkun e Vlorës, teksa deri më tani nuk janë regjistruar problematika. Gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani bën me dije se deri më tani procesi vijon i qetë, ndërsa janë regjistruar vetëm disa vonesa në disa qendra votimi, por që kanë zgjatur pak minuta.

Qarku  i Vlorës në të cilin përfshihen 7 bashki, Vlora, Saranda, Himara, Kinispoli, Selenica, Finiqi dhe Delvina ka një numër prej 323226 zgjedhësish të regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ata pritet të zgjedhin 175 këshilltarë bashkiakë dhe mes 17 kandidatëve për kryetar bashkie.

Vlora është bashkia më e madhe dhe më e rëndësishme  e qarkut. 168097 janë zgjedhësit e regjistruar, që do të votojnë për 2 kandidatë: Diplomatin Ermal Dredha që garon nën siglën e PS-së dhe përballë do të ketë kandidatin e grupimi “Bashkë Fitojmë”, ekonomistin Hysni Sharra. Krahas kryetarit, votohet edhe për 51 vende në këshillin bashkiak ku garojnë 13 subjekte zgjedhore.

Vlora drejtohet aktualisht nga Dritan Leli, që u shpall fitues në zgjedhjet lokale të 2019, në të cilat nuk mori pjesë opozita. Zgjedhjet e 2019 shënuan dhe pjesëmarrjen me të ulët me 21%, ku në zgjedhje morën pjesë vetëm 33448 zgjedhës.

Një tjetër bashki interesante për këto zgjedhje lokale është edhe Saranda. Aty garojnë 4 kandidatë: Skënder Muço i PD-së, Ardit Cikuli kandidat i “Bashkë Fitojmë”, Oltion Caci i PS dhe Gjergji Merkuri i pavarur.

47999 zgjedhës janë thirrur në votimet e 14 Majit ku votohet edhe për 31 vende në këshillin bashkiak.

Ne zgjedhjet e 2019 pjesëmarrja ishte 21% ndërsa pritet që këto zgjedhje të ketë më tepër interes, duke iu referuar numrit të kandidatëve.

Bashkia e Himarës, vazhdimisht ka patur interes në të gjitha zgjedhjet e organizuara, për faktin jo vetëm të zhvillimeve të fundit me arrestimin e kandidatit të mbështetur nga opozita, Alfred Beleri, përfaqësues i minoritetit grek, por edhe se garon përballë një tjetër minoritari socialist; Jorgo Goro.

22822 zgjedhës në Himare do të votojnë edhe për 21 anëtaret e këshillit bashkiak.

Qarku i Vlorës mbetet interesant në këto zgjedhje lokale, pasi në 2019 ka shënuara nivele tepër të ulëta të pjesëmarrjes në zgjedhje me më pak se 30%. Pritet që pjesëmarrja në këto zgjedhje të jetë me e lartë duke parë angazhimin e partive politike përfshirë edhe atyre të minoritetit grek.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme