Zgjedhjet në Francë, Macron do të takohet me partitë rivale pasi humbi shumicën

Botë | 4 vite më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron do të takohet këtë të martë me kundërshtarët politikë pasi koalicioni i tij nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare.

Macron tani është nën presion për të siguruar mbështetje nga rivalët për të përmbushur axhendën e reformave të qeverisë së tij.

Por as e djathta ekstreme e Marine Le Pen dhe as aleanca e majtë e Jean-Luc Mélenchon nuk janë të prirur të punojnë me të.

Qeveritë e pakicave janë një gjë e rrallë në Francë dhe partia e Macron është 44 vende larg shumicës.

Kjo do të thotë se atij do t’i duhet të gjejë mbështetje nga deputetët kryesorë nga ana e majtë dhe e djathtë e politikës për të ndihmuar në ndërtimin e një mazhorance pune.

Përfaqësuesit e partive do të vizitojnë pallatin Élysée veçmas për bisedimet e nivelit të lartë të martën dhe të mërkurën.

Analistët thonë se presidenti mund të shikojë një marrëveshje me republikanët e krahut të djathtë dhe partia konfirmoi se udhëheqësi i saj, Christian Jacob, do të marrë pjesë në bisedime.

Udhëheqësi i Partisë Socialiste Olivier Faure dhe shefi i Partisë Komuniste Fabien Roussel, anëtarë të aleancës së krahut të majtë Nupes, do të takohen gjithashtu me Macron.

Qeveria centriste e Francës po përpiqet dëshpërimisht të shmangë paralizën politike pasi humbi shumicën e saj.

Macron do të duhet gjithashtu të zëvendësojë tre ministra që humbën vendet e tyre në votimin e së dielës dhe e ardhmja e kryeministres Elisabeth Borne duket gjithnjë e më e kërcënuar./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme