Zgjedhjet vendore/ Balla takon Begajn: PS gati për çdo datë që do dekretohet, Presidenti do vlerësojë çdo propozim

Politikë | 4 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot (6 tetor) në një takim Kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla lidhur me caktimin e një date për zgjedhjet vendore të 2023. Në një prononcim për media, Balla deklaroi se Partia Socialiste nuk ka një datë konkrete për zgjedhjet vendore, ndërsa theksoi se Presidenti do të marrë në konsideratë të gjitha propozimet.

“Nuk kemi qenë të prerë në një propozim tonin, për këtë datë sepse besojmë që presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet, ne jemi të gatshëm që të marrim në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato në secilën datë, ajo që vërej me vlerësim është gatishmëria për të dëgjuar të gjithë aktorët politik që priten që të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Balla.

Sipas tij, zgjedhjet do të mbahen brenda afatit 15 pill-15 maj, ndërsa komentoi dhe takimet që Presidenti Begaj ka zhvilluar me përfaqësuesit e Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, me krerët e partive të vogla, me kryetarin e Partisë së Lirisë dhe me kreun e grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj.

“Mendoj që të gjitha partitë politike duhet të zbatojnë kompetencën e drejtpërdrejtë të presidentit të republikës. Një gjë është e sigurt që zgjedhjet mund të zhvillohen brenda afatit 15 prill-15 maj duke marrë parasysh ndonjë festë zyrtare brenda këtij afati. Nuk di se kë ka pritur Begajn, të gjithë respektojmë ligjin dhe në këtë këndvështrim, në Kuvendin e Shqipërisë kryetari i grupit parlamentar, janë Mediu, Doda, dhe Alibeaj, pastaj nëse deputet të caktuar kërkojnë takime me president të republikës, mendoj se edhe ndonjë deputet socialist mund të kërkoj takim me presidentit”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme