Zgjerohet harta e konfliktit në SHBA, të shtëna në Portland dhe përplasje në Connecticut pas vdekjes së Renee Good

Vrasja e Renee Good në Minneapolis nga agjentët e emigracionit (ICE) ka shërbyer si shkëndijë për një valë të re zemërimi që ka kapërcyer kufijtë e Minesotës. Të enjten, dy incidente të reja që përfshijnë agjentët federalë tronditën Portlandin dhe Connecticutin, duke rritur presionin mbi administratën dhe operacionet e zbatimit të ligjit.
Portland, Oregon, të shtëna jashtë spitalit
Një tjetër incident me armë zjarri që përfshin oficerët federalë ndodhi pasditen e së enjtes në Portland, jashtë ambienteve të një spitali. Bilanci: dy persona mbetën të plagosur. Gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet ende.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka përdorur një mbrojtje të ngjashme me atë të rastit në Minneapolis. Sipas tyre, oficerët u detyruan të qëllojnë pasi një i dyshuar (shtetas nga Venezuela me lidhje të dyshuara me bandat) tentoi të përdorte automjetin e tij si armë për të goditur agjentët.
Zyra e FBI-së në Portland ka marrë menjëherë drejtimin e hetimeve.
Hartford, Connecticut, tension gjatë protestave
Zemërimi qytetar u përshkallëzua edhe në Bregun Lindor. Kryebashkiaku i Hartfordit, Arunan Arulampalam, denoncoi një incident ku një automjet i drejtuar nga oficerë federalë u fut përmes turmës së protestuesve jashtë ndërtesës federale “Abraham Ribicoff”.
Videot tregojnë protestuesit duke bllokuar daljen e një furgoni dhe një makine. Mjetet çanë turmën ngadalë, ndërsa protestuesit thyen një xham dhe u raportua përdorimi i sprejit lotsjellës.
Kryebashkiaku Arulampalam akuzoi drejtpërdrejt klimën politike të kultivuar nga administrata Trump.
“Ajo që ndodhi sonte është rezultat i drejtpërdrejtë i paligjshmërisë dhe pakujdesisë së kultivuar nga administrata Trump, e cila kulmoi me vrasjen e Renee Good.”
Këto ngjarje të njëpasnjëshme kanë vendosur operacionet e ICE-së nën një lupë të fortë vëzhgimi, ndërsa protestat parashikohet të vazhdojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





